Gazeta Si – Rexhep Tajip Erdogan fiton zgjedhjet presidenciale në Turqi. Kreu i Shtetit u rikonfirmua duke mposhtur kundërshtarin e tij Kemal Kiliçdaroglu në zgjedhjet për rinovimin e presidencës së Republikës Turke.
Me 99,67% të votave të numëruara, Erdogan mori 52,13% të votave, ndërsa Kiliçdaroglu, kandidati i përbashkët i një koalicioni prej 6 partish opozitare dhe kreu i partisë kryesore opozitare të qendrës së majtë CHP, u ndal në 47,87%.
“Populli ynë na ka besuar edhe një herë, kjo fitore hap derën e shekullit të Turqisë”, tha Erdogan, pasi mandati i tij i tretë radhazi u bë zyrtar. Pjesëmarrja ishte pak më shumë se 85%: në raundin e parë ishte 88%.



Lideri turk siguron kështu pushtetin edhe për pesë vite të tjera, deri në vitin 2028, pasi ka fituar të gjitha zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.
Erdogan ka qenë në pushtet në Turqi për njëzet vjet, fillimisht si kryeministër dhe më pas si President i Republikës.
“Dua të falënderoj të gjithë kolegët e mi që kanë punuar me sakrificë në qendrat e votimit që në orët e para të mëngjesit”, tha Erdogan menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
“U bëj thirrje të gjithë vëllezërve dhe motrave të mia që të mbrojnë vendvotimet deri në përfundimin e rezultateve. Është koha për të mbrojtur vullnetin e kombit tonë deri në momentin e fundit”.
Duke përfshirë numrin e banorëve jashtë vendit, votuesit e thirrur në qendrat e votimit ishin mbi 64.1 milionë.
Gjatë raundit të parë, më 14 maj, Erdogan kishte marrë 49,5% të votave (27,08 milionë vota), ndërsa Kiliçdaroglu 44,9% (24,56 milionë vota).
Komisioni i Lartë Zgjedhor bëri të ditur se gjatë procedurave të votimit “nuk është paraqitur asnjë situatë negative”.






“Ne do të vazhdojmë luftën, marshimi ynë vazhdon, ne jemi këtu”. Kështu pohoi gjatë një konference për shtyp në Ankara, lideri 74-vjeçar i opozitës Kemal Kiliçdaroglu, i cili u mund në balotazhin presidencial.
Një nga liderët e parë ndërkombëtarë që uroi “sulltanin” turk, ishte kryeministri hungarez Viktor Orban.
“Fitorja e padiskutueshme zgjedhore, urime president”. Më pas erdhi mesazhi nga Vladimir Putin, i cili tha se ishte i gatshëm “të vazhdojë dialogun tonë konstruktiv për çështjet aktuale në axhendën dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare”.
Fitorja elektorale e Erdoganit ishte rezultat i punës së tij, shkroi presidenti rus në një mesazh dhe “një dëshmi e qartë e mbështetjes së popullit turk për përpjekjet tuaja për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur”.
Joe Biden uroi gjithashtu Recep Tayyip Erdogan. Shtëpia e Bardhë e raporton këtë në një shënim.
Në Telegram, presidenti ukrainas Zelensky shkruan në turqisht: “Urime Presidentit Erdogan për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Ne mezi presim të zhvillojmë bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës dhe të forcojmë më tej partneritetin tonë strategjik për të mirën e vendeve tona”, – shtoi presidenti ukrainas.
Menjëherë pasi Recep Tayyip Erdoğan shpalli fitoren përpara mbështetësve të tij në zgjedhjet presidenciale të kësaj të diele në Turqi, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Me anë të një postimi në Facebook, ku ka postuar edhe një foto të presidentit të Turqisë, Rama shkruan: “Urime për fitoren Zoti President”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.