Politike

Foto e video/ E hëna ditë pastrimi në PD, ‘full-time’ vetëm punonjësit e mirëmbajtjes, Basha ndryshon axhendën politike

Ajo çfarë ka mbetur nga protesta e 8 janarit në selinë e PD-së janë xhama, dyer dhe tavolina të shkatërruara.

E hëna e 10 janarit ishte një dite pastrimi për ambientet e selisë se PD-së ku përgjatë paradites aty janë parë vetëm punonjës të pastrimit, duke nxjerre mbeturina e duke fshirë xhamat, jo vetëm, në katin e parë të selisë aty ku u fokusuan më së shumti mbështetësit e Berishës, por edhe në katin e dyte aty ku disa prej tyre u përpoqën (pa mundur) përmes shkallësh që të hynin brenda.

Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka filluar javën politike me axhendën e opozitës, duke u shkëputur nga ajo që ndodhi me 8 janar.

Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj nuk mori pyetje, por dha vetëm një deklaratë për mediat, lidhur me lirimin e katër të akuzuarve për publikimin e pagave.

“Vendimi i sotëm i gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve është dëshmi e qartë se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente të drejtësisë mbeten nën ndikimin direkt të Edi Ramës dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur.

Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Sipas nënkryetarit të demokratëve, “vendimi i gjykatës është dëshmi e qartë se autoret e publikimit të të dhënave, përfshirë dhe atë të patronazhistëve janë kryeministri dhe vartësit e tij”

“Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjikë normale që të justifikojë gjykimin në gjendje të  lirë për 4 personat që kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës.

Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë