Ka ndodhur

Foto/ Belgjikë, vritet me gjashtë plumba pranë motoçikletës së tij një 28-vjeçar shqiptar

Gazeta Si – Një 28-vjeçar nga Shqipëria është ekzekutuar me 6 plumba pas një atentati në Belgjikë, teksa po qëndronte pranë motoçikletës së tij.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në Koekelare pranë një parku me pyje dhe liqen.

Mediat belge bëjnë të ditur se 28-vjeçari i ekzekutuar është shtetasi, Ilir S., i cili u vra me të paktën gjashtë plumba.

I riu u ekzekutua përgjatë  një parku në zonën IJzerdijk në Stuivekenskerke, afër Diksmuide. Viktima ka lënë pas partneren, për të cilën nuk dihet se çfarë kombësie ka dhe një fëmijë të mitur.

Prokurori publik konfirmoi se policia ka arritur të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili duhet të të paraqitet nesër para gjykatës.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, ndërsa autoritetet belge janë duke hetuar mbi motivet e vrasjes.

Ilir S., po qëndronte pranë motoçikletës së tij të parkuar kur u godit me armë zjarri, ndërsa policia tha se kishte gjetur një duzinë gëzhojash arme zjarri..

Sipas një peshkatari, që ndodhej në vendngjarje, ku ishte ulur së bashku me vajzën e tij përgjatë Yserit, të shtënat nisën rreth orës 21:00.

Ai dërgoi menjëherë vajzën e tij te fqinjët dhe më pas nxitoi te shqiptari që shtrihej i pajetë pranë motoçikletës së tij.

Dëshmitari u përpoq të ringjallte viktimën, duke parë që ndihma e parë erdhi me vonesë.

Megjithatë sipas mediave belge, 28-vjeçari kishte ndërruar jetë në vend.

Pas incidentit, dëshmitarët panë tre makina duke lëvizur përgjatë liqenit IJzerdijk, por nuk është ende e qartë nëse kjo gjë ka lidhje me ngjarjen.

Zona qëndroi e mbyllur nga policia gjatë mbrëjes së të dielës.

“Burri besohet se është goditur nga të paktën gjashtë plumba. Në vendngjarje kanë mbërritur gjithashtu një ekspert i armëve, një oficer mjekësor dhe një ekip policor. Hetimi për të dyshuarit është ende në vazhdim. Viktima jeton në Koekelare. Për momentin nuk do të jepet më shumë informacion”, – shkruajnë mediat belge.

Para një muaji, Brukseli u trondit nga një ngjarje kriminale në mes të qytetit, kur Kasandër Noga plagosi me pistoletë Erion Hasanbelliun për çështje hasmërie. Një ditë më pas, Noga u arrestua në Vjenë të Austrisë.

Ndërsa në janar 2022, Bledar Muça, një bashkëpunëtor i fisit Çapja në Elbasan dhe i dënuar në Shqipëri për disa vepra penale, u ekzekutua në një atentat me armë zjarri në Anversë.

Muça braktisi Elbasanin, duke bërë një jetë mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës. Pikërisht në këto shtete, ai dyshohet se kryente trafikimin dhe tregtinë e kokainës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë