Kosova

Foshnja e vdekur u fut mes çarçafëve në lavatriçe, pezullohen 7 punonjës në spitalin e Pejës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në spitalin e Pejës ku një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur me çarçafë në lavatriçe.

Denoncimin e kanë bërë familjarët, të cilët kanë kërkuar trupin e pajetë dhe nuk kanë munduar ta merrnin për t’i kryer nderimet e fundit.

Për rrjedhojë, janë pezulluar nga detyra shtatë punonjës të spitalit dhe po hetohet çështja.

“Hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetusit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e fetusit të vdekur tek familjarët.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka pezulluar 7 punonjës dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit.

Rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoriatit shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, babai i fëmijës ka folur për mediat duke thënë se kjo erdhi si pasojë e neglizhencës së mjekëve.

“Menjëherë një ditë pasi ka ndodhur rasti kanë shkuar tek reparti i Gjinekologjisë, mirëpo stafi ka hezituar t’ua jap foshnjën. Nuk është se kanë pasur ndonjë arsye se pse nuk po e japin foshnjën. Foshnja ka përfunduar në lavatriçe. Krejt mbetjet që i kemi marrë kanë qenë të tmerrshme. Bëhet fjalë për neglizhencë të mjekëve. Lindja e gruas ka qenë e rregullt”, ka thënë ai. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë