Ngjarje

Foshnja 2-muajshe ndërroi jetë, prindërit akuzojnë mjekët: E nxorën para kohe nga spitali

Nga Gazeta Si- Prindërit e foshnjës 2-muajshe që humbi jetën pas transportimit nga Korça drejt Tiranës kanë rrëfyer momentet e fundit të fëmijës, duke thënë se i vogli kishte probleme shëndetësore që prej lindjes, pasi kishte lindur premature dhe 1 kg. Ato gjithashtu kanë ngritur edhe akuza për mjekët se e kanë nxjerrë fëmijën para kohë nga spitali.

Babai i foshnjës tregoi se foshnja kishte qëndruar për rreth një muaj në inkubator në Tiranë, ndërsa më pas ishte kthyer në Korçë për disa ditë.

“E çuan doktorët se ishte në inkubator, ndenji 1 muaj në Tiranë dhe u kthye për të ndenjur 10 ditë në Korçë, por ne na morën në telefon na thanë hajdeni merreni fëmijën. E morëm, na dhanë ilaçet për fëmijën dhe ja jepnim”, tregon babai, duke shtuar se kur e nxorrën nuk i kanë thënë se fëmija ka përsëri probleme.

“U detyrova ta çoja në spital pasi fëmija nuk pinte qumësht, e nxirrte jashtë. Nuk kishte as temperaturë asgjë”.

Babai i fëmijës tha për mediat se foshnja u transportua me ambulancë nga Korça drejt Tiranës, i shoqëruar nga dy infermierë, por ndërroi jetë vetëm pak kohë pas mbërritjes në spitalin “Nënë Tereza”.

Vjollca Shkëmbi, nëna e foshnjës ka ngritur akuza ndaj sistemit shëndetësor, duke pretenduar se fëmija i saj u nxor para kohe nga spitali në Tiranë, pavarësisht se kishte lindur prematur dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar.

Ajo rrëfen se gjendja e foshnjës ishte e brishtë që në fillim dhe sipas saj mjekët duhej ta mbanin nën vëzhgim për më shumë kohë.

“Fajin s’e kam pasur as unë as bashkëshorti asnjë njeri. Fajin e kanë doktorët e Tiranës jo unë se ata e nxorën para kohe, për ata duhet të marrë masa shteti. Unë e linda me operacion dhe nuk kisha mundësi t’i jepja qumësht me gji, njëherë që vajta në Tiranë fëmija ishte në inkubator”, tha nëna e foshnjës.

Sipas dy prindërve, fëmija kishte probleme me mushkëritë dhe infeksion që nga lindja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë