Politike

Forumi Shqipëri-Turqi, Rama: Të ndërtojmë një autostradë suksesi mes Adriatikut dhe Bosforit

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama foli nga Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, duke theksuar se objektivi i qeverisë është dyfishimi i shkëmbimeve tregtare me shteti turk.

“10 vjet më parë, me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, vumë një objektiv të thjeshtë, të dyfishonim shkëmbimet tregtare. Sot kemi shkuar përtej, nga 250 mln euro në mbi 1 miliard në vetëm 9 muajt e parë të këtij viti. Nga 300 sipërmarrje me kapital turk, në mbi 1 mijë sot. Nga disa qindra punonjës, në 15 mijë të tillë që punojnë në sipërmarrjet turke në vendin tonë. Ajo që vlen më shumë se numrat, është fryma. Të ndërtojmë një autostradë suksesi mes Adriatikut dhe Bosforit. Sot kemi një urë me këmbët ngulur fort në të ardhmen. Kjo marrëdhënie është vëllazëri!”,tha Rama, ndërsa shtoi se 300 mijë turistë nga Turqia e kanë vizituar Shqipërinë këtë vit.

 “Oreksi vjen duke ngrënë, thotë përsëri një fjalë që e kemi të përbashkët, ndaj ejani të punojmë sëbashku për suksesin, ta rrokim dhe ta shijojmë sëbashku! Shqipëria e Turqia flasin me gjuhën e punës dhe rezultateve, ta shohim të ardhmen si atë që sëbashku duhet ta rrokim! Faleminderit”, përfundoi Rama, duke e thënë edhe në gjuhën turke “Teşekkür ederim”.

Fokusi i forumit do të jetë në katër sektorë strategjikë me potencial të lartë zhvillimi, përkatësisht ndërtimi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe bujqësia së bashku me industrinë ushqimore.

Aktiviteti do të shoqërohet me panele tematike, diskutime interaktive dhe takime të drejtpërdrejta “business to business” dhe “business to government”, që synojnë të krijojnë mundësi konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis bizneseve dhe institucioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë