Bota

Forumi i Davos/ Trump sërish thirrje vendeve të NATO-s: Duhet të shpenzoni 5% të PBB-së për mbrojtjen!

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një video-mesazhi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, bëri thirrje që vendet anëtare të NATO-s të rrisin kontributin në mbrojtje, duke kërkuar që ato të paguajnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

“Sot disa vende nuk paguajnë as 2% të PBB-së. Është koha që të gjithë të kontribuojnë në nivelin e duhur për të mbështetur Aleancën,” deklaroi Trump.

Trump njoftoi gjithashtu se do të kërkojë nga Arabia Saudite dhe organizata OPEC që të ulin çmimet e naftës. Ai theksoi se, “Nëse çmimet e naftës bien, lufta në Ukrainë do të përfundojë menjëherë.”

Presidenti amerikan shprehu shqetësimin e tij për numrin e lartë të viktimave në Ukrainë, duke e krahasuar situatën me Luftën e Dytë Botërore.

Republikani konfirmoi se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të ndaluar atë që ai e quajti “pushtim” në kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën. Ai njoftoi se ushtria është dislokuar për të siguruar kufijtë dhe për të parandaluar hyrjen e paligjshme në territorin amerikan.

Trump paralajmëroi ulje historike të taksave për bizneset dhe qytetarët amerikanë.

“Do të bëjmë uljen më të madhe të taksave në historinë e Shteteve të Bashkuara,” tha ai.

Ai gjithashtu inkurajoi bizneset ndërkombëtare që të prodhojnë në SHBA, duke ofruar taksa më të ulëta.

“Nëse nuk vini të prodhoni këtu, do të paguani tarifa doganore të larta që do të sjellin miliarda dollarë në ekonominë tonë,” shtoi ai.

Presidenti Trump vuri në shënjestër Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave për vendet e BE-së. “Europa do të duhet të paguajë tarifa, dhe këto të ardhura do të përdoren për të ulur borxhin publik të SHBA-së,” deklaroi ai.

Deklaratat e Trump në Forumin e Davos reflektojnë qëndrimin e tij të vendosur për të mbrojtur interesat e SHBA-së, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë gjeopolitik, ndërkohë që kritikat ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve vazhdojnë të jenë një pjesë kyçe e politikës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë