Politike

Formulari i këshillimit i Qeverisë, tre përgjigje për çdo pyetje

Qeveria ka publikuar formularin e plotë të nismës së këshillimit kombëtar, që Kryeministri Edi Rama njoftoi në fund të vitit të kaluar. Në formular, secila nga 12 pyetjet ka tre përgjigje me alternativa, ku e treta është përgjigjia “nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”.

Për këtë formular është hapur një faqe e posaçme internet me domain këshillimikombëtar.al dhe një tabelë që të çon drejt plotësimit të këtij formulari po vendoset gradualisht në të gjitha faqet zyrtare të Qeverisë.

Të mërkurën, Kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët që ta plotësojnë këtë formular, pasi siç tha është koha për të hapur një kapitull të ri të bashkëqevrisjes, megjithëse mes pyetjeve kërkohet mendimi i qytetarëve edhe për çështje që tashmë pjesërisht janë bërë fakt, siç është “Ballkani i Hapur”.

Formulari, sipas Ramës, do të shkojë në çdo shtëpi të shqiptarëve përmes postës, tradicionale, ose elektronike dhe përmes pikave të këshillimit që do të ngrihen në çdo bashki.

“Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki”, tha ai.

Në këtë nismë, Rama ftoi të gjithë qytetarët, paavarësisht bindjeve të tyre politike,

“Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë!”, mbylli mesazhin e tij Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë