Motosport

Formula 1 zbarkon në Arabinë Saudite, zbulohet cirkuiti më i shpejtë në rrugë

Janë 27 kthesa të një cirkuiti të gjatë 6.175 kilometra, ku mesatarja e shpejtësisë është 250 km në orë. Kjo është pista e Gedas në Arabinë Saudite, pista rrugore e Formula 1 më e shpejtë në botë. “Çmimi i Madh” i Gedas do të zhvillohet mes datave 3 dhe 5 dhjetor të këtij viti.

Pista e realizuar nga “Studio Tilke” ndodhet pranë Detit të Kuq, 12 kilometra në veri të qendrës së Gedas. Vetëm cirkuiti i Spa në Belgjikë është më i gjatë, 7.004 kilometra.

Ros Braun, drejtori administrativ i Formula 1, ka thënë: “Të prezantosh një cirkuit të ri është gjithmonë emocionuese dhe Geda nuk bën përjashtim. Kemi punuar shumë me “Studio Tilke” dhe me organizatorët për të qenë të sigurt se do të realizojmë një pistë, ku garohet rrotë më rrotë, të mbushur me sfida për piloted”.

“Dizajni është modern, – vazhdon më tej Braun, – ka edhe zona të hapura që garantojnë për shpejtësi të lartë dhe të japin mundësinë për parakalim. Vendndodhja pranë Detit të Kuq është e mrekullueshme, prandaj dhe mezi presim për të parë makinat njëvendëshe në pistë në dhjetor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë