Motosport

Formula 1/ Testet nisin në shenjën e Vershtapen, Mercedesi në hije

Piloti holandez i Red Bull-it, Vershtapen, ishte më i shpejti në ditën e parë të testeve në Bahrain, para nisjes së Botërorit. Ai regjistroi kohën më të mirë, ndërsa pas tij u renditën Norris (MekLaren) dhe Okon (Alpine). Probleme për Botas, Hemilton i 10-ti.

Në Sakhir, në pistën ku më 28 mars do të startojë Botërori i F.1, në ditën e parë të testeve ishte Maks Vershtapen që u duk në formën më të mirë, duke arritur kohën 1’30’674. Lando Norris i MekLaren, me 0″215 më shumë, zuri vendin e dytë.

Ferrari i Leklerk pati probleme teknike gjatë testeve. Francezi e fiku makinën SF21, duke e parkuar në kthesën e 4-t. Duhet thënë se gjatë testeve pati shumë rërë në pistë, duke e vështirësuar punën e pilotëve. Vend i tretë për Alpine e Esteban Okon, që nesër do t’ia lërë vendin Fernando Alonsos. I katërti doli Lens Stroll me Aston Martin, kurse shoku i tij, Sebastian Fetel, u rendit i 13-i.

Një nga makinat Ferrari në pistëne mbushur me rërë. Gazeta Si, 12 mars 2021

Në vend të 5-të doli Ferrari me Karlos Sainz, i cili zbriti në pistë gjatë pasdites. Për Mercedesin nuk ishte një ditë e mirë. Që pas xhiros së pare, makina e Valteri Botas pati një problem me kambion dhe ai e humbi kështu radhën e tij. Edhe kampioni i botës, Ljuis Hemilton, pati disa probleme me makinën e tij, që e penguan të jepte më të mirën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë