Motosport

Formula 1/ Sekretet e Albert Park, me frenime më të forta në pistën e modifikuar

Gazeta Si – Pas dy vitesh mungesë, e ndikuar nga karantina, Formula 1 rikthehet në Australi, ku të dielën e 10 prillit zhvillohet gara e tretë e Botërorit 2022. Cirkuiti, që është një pistë në rrugët e qytetit, në zonën e ‘Albert Park’, nga e cila merr edhe emrin, është modifikuar dhe është bërë më i shpejtë.

Ndërhyrjet kryesore janë bërë në kthesën e parë, atë pas pikës së nisjes, që është spostuar me 3.5 metra dhe është zgjeruar, ashtu si dhe kthesat 3 dhe 6, tashmë më të shpejta. Modifikime janë bërë edhe në kthesën 8, që tani duhet të përballohet e plotë.

Nga punimet per modifikimin e pistes. Gazeta Si, 5 prill 2022

Duke qenë se përdoret për trafikun qytetar, pista në fillim të fundjavës do të jetë e rrëshqitshme dhe do të bëhet edhe më shumë gjatë sesioneve të provave. Nga të dhënat e marra nga “Brembo”, është një pistë që klasifikohet te niveli mesatar sa i takon impiantit të frenave, me 12% të xhiros të shpenzuar në frenim, një nga më të ulëtit e Botërorit, bashkë me pistën e Majemit, ku do të garohet pas një muaji.

Frenimet më të forta do të jenë në kthesat 3, 11 dhe 14. Në kthesën 3, një nga të modifikuarat, mund të shkohet me shpejtësi 301 km/h dhe dilet prej saj me shpejtësi 104 km/h. Kjo pjesë e pistës ka një hapësirë prej 121 metrash dhe është një pikë e mirë për parakalime.

Në kthesën 11 ndërkohë kalohet nga 315 km/h në 143 km/h. Edhe këtu është një mundësi e mirë për sulm. Në kthesën 14, në pjesën finale të pistës, frenat duhen për të kaluar nga 247 km/h në 101 km/h.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë