Formula 1 mund të kthehet të garojë sërish në Afrikën e Jugut. Presidenti i Formulës 1, Stefano Domenikali, ka pohuar se kanë nisur bisedimet mes “Liberty Media” dhe përgjegjësve të Kyalami, cirkuitit ku nuk garohet më prej vitit 1993 (gara e fundit u fitua nga Uilliamsi i Alan Prost dhe pas tij ishin MekLareni i Airton Senës dhe Benetoni i Mikael Shumakerit).
Një kandidaturë e mbështetur edhe nga Ljuis Hemilton shkurtin e kaluar, kur kampioni i botës tha se Afrika është një vend shumë i rëndësishëm, ku Formula 1 nuk mund të mungojë.

Gjatë një interviste për gazetën e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, presidenti Domenikali ka lënë ta hapur mundësinë për të garuar si në veri, ashtu edhe në jug të kontinentit afrikan. “Do të thosha se është shumë e rëndësishme që të bëhen gara në gjithë botën. Një garë në Afrikë? Po diskutohet, por jemi ende në fazën fillestare”.
Drejtuesi i lartë i F.1 ka lënë të hapur gjithashtu edhe mundësinë për një garë të dyfishtë në Kinë ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë se në 2022-shin synohet që të zhvillohen 25 Çmime të Mëdha nga 23 që do të jenë këtë vit.
“Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregje shumë të rëndësishme për ne, – shton Domenikali. – Në Kinë jemi vetëm në Shanghai dhe duhet të vazhdojmë me strategjinë tonë. Mëkat që në 2020-ën nuk shkuam dot atje për shkak të Covid-it. Ndoshta mund ta rikeperojmë atë garë, duhet të jemi fleksibël”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




