Motosport

Formula 1 nis në korrik me dy gara radhazi në Austri

Formula 1 duket se e ka vendosur datën e fillimit të sezonit 2020. Sipas Helmut Marko, konsulent i Red Bull-it, kampionati do të nisë me dy gara radhazi në pistën e Spielberg, në Austri. “Do të zhvillohen dy gara radhazi, të dyja të dielën, e para më 5 dhe e dyta më 12 korrik”, – ka thënë Marko gjatë një interviste radiofonike për një radio lokale.

“Vetëm një valë e dytë e mundshme e pandemisë mund t’ia mohojë Formulës 1 nisjen e sezonit. Në princip, Spielberg plotëson të gjitha kriteret e nevojshme për zhvillimin e garave në këtë situatë”, – ka shtuar Marko, konsulenti i skuderisë e austriake.

Hipoteza e zhvillimit të dy garave në të njëjtën pistë ishte hedhur pak javë më parë, kur ishte përmendur cirkuiti i Silverstone në Angli si një nga më të përshtatshmet. Marko ka saktësuar se garat e para të Formulës 1 do të zhvillohen në kushte shumë të rrepta sigurie. Fundjava e garës do të administrohet nga më pak se 2000 persona, nuk do të ketë tifozë në tribunat e pistave dhe as gazetarë në terren. Drejtuesit e Formulës 1 do të kujdesen që të prodhojnë sinjalin e transmetimit ndërkombëtar për të garantuar mbulimin televiziv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë