Gazeta Si – Pas pauzës së verës, Botërori i Formulës 1 rinis fundjavën e fundit të gushtit me garën e Zandvort, ku kampioni i botës, Maks Vershtapen, do të ketë mbështetjen e ‘detit portokalli’. Do të jetë një garë komode për të në rrugën drejt titullit të 3-të kampion bote.
Çmimi i Madh i Holandës ndërkohë paraqet një tjetër interes, momentin kyç të “silly season” të merkatos së pilotëve, që më pas do të tërheqë fillin në garën pasardhëse të Moncës. Merkatoja e pilotëve vlon edhe në këtë moment pushimesh.

Në prag të garës së Moncës mund të vijë konfirmimi i Sharl Leklerk te Ferrari edhe për dy sezone të tjera, 2025 dhe 2026. Zgjatja e bashkëpunimit mes francezit dhe skuderisë italiane heq nga merkatoja zgjedhjen e parë të Mercedesit, në rast se Ljuis Hemilton do të braktisë projektin për titullin e 8-të botëror.
Në pritje të një shpërthimi të Xhorxh Rasëll jashtë hijes së Ljuis Hemilton, alternativa për këtë të fundit nuk është piloti aktual rezervë, Mik Shumaker. Danezi Frederik Vesti do të ulet në timonin e W14 në turin e parë të provave në garën e ardhshme të Meksikës. Megjithatë, Lando Norris do të ishte kandidati ideal edhe për faktin se ka qenë më parë në enturazhin Mercedes, që furnizon ‘power unit’ te MekLaren, që piloti nga Bristol ndan me Oskar Piastrin.
Janë të gjitha sugjerime, duke ditur që së fundi Toto Volf ka deklaruar se rinovimi me Hamilton është “një çështje avokatësh”. Jo në sensin se palët kanë prishur marrëdhëniet, por sepse përfaqësuesit ligjorë të tyre po saktësojnë edhe detajet e fundit të akordit.
Duke u kthyer te Ferrari, edhe pse nga vetë piloti është mohuar gjithçka, gjithmonë e më tepër janë shtuar zërat për një parakontratë të Karlos Sainz me Audin, që do të hyjë në Botëror në 2026-ën me skuadrën Sauber. Piloti madrilen ka kontratë me Ferrarin deri në 2024-ën.
Argumenti i merkatos së pilotëve nuk e shqetëson shumë Red Bull-in, që ka Vershtapenin. Por sezoni kontradiktor deri tani, a mund t’i kushotjë vendin meksikanit Serxhio Perez? Ai e ka marrë pak veten me dy podet në Budapest dhe Spa-Francorchamps, kështu që ka shkuar me pushime pak më i qetë. Meksikani ka bërë atë që skuderia i ka kërkuar.

Daniel Riçardo ndërkohë po bën ‘nxemjen’ me Alpha Tauri, gati për t’u ngritur nga ‘stoli’ në çdo moment. Më shumë do të flitet në Zandvort, ku argumenti i merkatos së pilotëve do të jetë më në fokus. Përveçse për mijëra bashkombas të Maks Vershtapen, të cilët do t’i kenë sytë dhe veshët vetëm tek idhulli i tyre…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



