Motosport

Formula 1 kthehet në Kinë pas 5 vitesh, Vershtapen ironik për formatin Sprint

Gazeta Si – Jashtë garave për shkak të emergjencës sanitare dhe pasojave të masave të forta shtrënguese (4 gara të anuluara radhazi 2020-2023), Çmimi i Madh i Kinës kthehet në kalendar pas 5 vitesh, madje nga dera kryesore. Do të presë garën e parë të këtij sezoni në formatin Sprint.

Shumë goma dhe shumë benzinë janë depozituar në këtë cirkuit. Në 2019-ën në Shangai triumfonte, – në epopenë hibride të Mercedesit, – Ljuis Hemilton. Anglezi linte pas Botasin dhe Fetelin, që në atë kohë drejtonte një makinë Ferrari.

Gara e Kinës vjen në momentin e duhur për Ljuis Hemilton, në kërkim të një versioni ndryshe të vetes në raport me atë të kohëve të fundit. Sir Ljuis ka triumfuar 6 herë në Shanghai (dy herë me MekLaren-Mercedes dhe 4 herë me Mercedes).

Kampioni i botës, Maks Vershtapen, ka folur me ironi në lidhje me garën e kësaj fundjave. “Ide e bukur për t’u kthyer në Kinë me një garë Sprint…”, – ka thënë holandezi. Ai (dhe jo vetëm) në fakt ka dyshime dhe paqartësi për formatin ‘dy në një’ të garës së 5-të të Botërorit 2024.

“Nuk më duket ndonjë ide e mirë të kthehemi pas 5 vitesh në Shanghai me një garë Sprint! Kur kthehesh në një pistë që nuk e sheh prej kohësh, nuk e di kurrë çfarë të pret. Do të kishte qenë më mirë të ktheheshim me një garë në formatin tradicional… Nga ana tjetër, me shumë mundësi situata ndoshta bëhet më intrigante dhe ndoshta është kjo arsyeja e kësaj zgjedhjeje.

Nga pikëpamja e paraqitjes mendoj se nuk është vendimi më inteligjent. Të shohim tani”, – ka shtuar Maks Vershtapen, si një zëdhënës i pilotëve të pakënaqur për formatin e garës Sprint me disa të panjohura, siç është kjo e Kinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë