Gazeta Si – Dominimi i Vershtapen dhe Red Bull shënon një problem për Formulën 1, që me ndryshimet e bëra pretendonte të dhuronte më shumë spektakël dhe argëtim për publikun.
Nga 12 dhjetori 2021, ditën e një prej garave më të bukura të historisë së F.1, kanë kaluar 19 muaj. Gjatë kësaj kohe, duke menduar diferencën që po përjetojmë sot në termat e emocioneve dhe spektaklit, diçka ka shkuar keq.
Nuk ndodh shpesh të shohësh një Botëror që vendoset në garën e fundit, kështu që finalja e sfidës mes Vershtapen dhe Hemilton në Abu Dhabi nuk mund të merret si një rregull, në gjendje të shoqërojë çdo kampionat.

Beteja si ato mes Lauda dhe Hunt, duelet e pabesueshme mes Senës dhe Prost kanë mbetur në histori pikërisht, sepse bëhej fjalë për mall të rrallë. Dhe ciklet fituese me një pilot, – apo edhe një skuderi, – që dominon, kanë ekzistuar gjithmonë.
Por këtë herë situata, me një sërë ndryshimesh, ka marrë një rrjedhë që po ndikon fort tek argëtimi dhe rrjedhimisht edhe tek interesi i garave. Ai 2021-sh aq i luftuar kishte 6 pilotë që fitonin të paktën një garë. Këtë vit, në mes të Botërorit, pas 11 garash nga 22, ka fituar vetëm një skuadër dhe në 9 raste e ka bërë me një pilot që ka grumbulluar deri tani 92% të pikëve në dispozicion.
Një statistikë e frikshme. Kur u fut rregullorja e re teknike në fillim të 2022-shit, që i shtohej ‘budget cap’, synohej të rritej ekuilibri dhe të shtohej numri i fituesve potencialë, por nuk ka ndodhur kështu. “Faji”, nëse mund të thuhet kështu, është i dy personave në veçanti: Adrian Njuei, që ka projektuar një Red Bull që ngjan më shumë një anije kozmike se një makinë garash, dhe Maks Vershtapen, që është në gjendje ta çojë në nivele kaq të larta, aq sa pas Çmimit të Madh të Hungarisë, Toto Volf, drejtuesi kryesor i Mercedesit, tha: “Është sikur Maks drejton një makinë të F.1 dhe gjithë të tjerët një makinë të F.2″.
Por nuk është vetëm kjo, edhe pse talenti dhe meritat e dy të përmendurve më lart janë për t’u admiruar. Problemi është se objektivi që F.1 trumpetonte me ndryshimet e bëra nuk është arritur. Paraqitjet në pistë të makinave duhej të ishin më të përafërta, ndërsa holandezi bën çfarë të dojë, duke ngritur madje dyshimet se nuk po jep ende maksimumin.

Numri i fituesve të garave duhej të shtohej praktikisht, por kemi një skuadër që ka ‘vrarë’ Botërorin për këto 2 vjet. Po ashtu, modifikimet duhej të shtonin duelet dhe parakalimet në pistë, ndërkohë duhet gjithmonë ndihma e DRS dhe pas disa xhirosh pilotëve u kërkohet të ngadalësojnë, të largohen nga ata që kanë përpara për të evituar problemet.
Ndryshimi i radhës teknik i F.1 është parashikuar për 2026-ën dhe i takon ‘power unit’. Duhen edhe 2 vjet e gjysmë dhe është një kohë e gjatë, nëse do të vazhdohet kështu. Nuk kuptohet se si Formula 1 dhe Federata Ndërkombëtare mund ta ndryshojë realitetin aktual. Në të ardhmen me siguri duhet ta studiojnë më mirë drejtimin që do të marrin. Tani për tani duhet lutur që Njuei të shpërqendrohet dhe dikush në zyrat e projektimit të skuadrave të tjera të bëjë diçka ndryshe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.