Motosport

Formula 1, gara me spektatorë në Francë, Austri dhe Holandë

Zvogëlohet numri i të infektuarve nga Covid-19 në Europë, marrin frumë lirisht cirkuitet që janë gati të presin garat e F.1 javët e ardhshme: Franca, Austria dhe Holanda. Nëse në Paul Ricard synohet për të pasur 45 mijë spektatorë gjatë fundjavës (3 ditë), në Red Bull Ring pretendohen edhe 3 mijë persona më shumë, duke parë hapësirat e mëdha të Stirias.

Cirkuiti Paul Ricard në Francë. Gazeta Si, 2 qershor 2021

Po punohet kështu për të shkuar deri në 40 mijë spektatorë në dy garat e 27 qershorit dhe 4 korrikut. Në Zandvort, – pas njoftimit të kryeministrit holandez Rute për zbutjen e masave nga 5 qershori, – synohet maskimumi i vendeve në shkallët e cirkuitit, pra 105 mijë spektatorë për garën e 5 shtatorit.

Në Austri objektivi është i arritshëm, siç konfirmojnë kancelari Sebastian Kurz dhe ministri i sportit, Verner Kogler. Ky i fundit për “Kleine Zeitung” ka shpjeguar se qeveria po mundohet të gjejë një zgjidhje për sa më shumë spektatorë.

Fjalëve të tyre u bashkohet edhe Helmut Marko, konsulenti i Red Bull-it, i cili për “Formel1.de” ka thënë: “Nuk kam dyshime se gjithçka do të shkojë natyrshëm, pas asaj që treguam në 2020-ën: do të bëjmë dy gara të sigurta, pavarësisht masave shtrënguese të ashpra. Kemi menduar për një skemë që redukton kontaktet dhe mund të presë më shumë tifozë”.

Nga një garë me spektatorë në Zandvord. Gazeta Si, 2 qershor 2021

Për Çmimin e Madh të Holandës, plani për të shkuar në 105 mijë spektatorë është më konkret se kurrë. Një objektiv që ishte edhe sezonin e kaluar, kur Zandvort duhej të kthehej në kalendarin botëror pas një mungese prej vitit 1985. Ministri i Shëndetit publik, de Jonge, ka thënë se pritet eliminimi i masave për maskën dhe distancimin social prej 1 shtatorit.

Edhe drejtori sportiv i Çmimit të Madh të Holandës, Jan Lammers, është optimist. “Ka persona që kanë kaluar Covid-in dhe që janë vaksinuar, pastaj kemi parë që edhe në Koningsdag, gjatë festës kombëtare të 27 prillit, numrat nuk u përkeqësuan. Një shenjë e mirë dhe tendenca e muajve të fundit është pozitive. E duam këtë arritje”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë