Gazeta Si – Formula 1 feston, nga viti 2026 do të jetë Audi furnizues i motorëve. Njoftimi është dhënë sot në Spa, në një konferencë shtypi me pjesëmarrjen e presidentit të këshillit administrativ të Audi AG, Markus Duesmann, presidentit të F1 Stefano Domenicali dhe presidentit të FIA-s, Mohammed Ben Sulayem.
Vendimi i Audi-t është marrë në prag të hapit për ‘power unit’ versioni 2026. Do të mbetet e njëjta akritekturë e motorit, me 6 cilindra, por ka një fuqi më të madhe elektrike. Një faktor vendimtar është edhe synimi i F.1 për të ulur kostot.

“Jam i lumtur t’i uroj mirëseardhjen Audi-t në Formula 1, – ka thënë Domenicali, – një markë ikonë, pioniere dhe inovatore teknologjike. Është një moment i rëndësishëm për sportin tonë, që vë në dukje forcën e madhe që kemi si platformë globale që vazhdon të rritet.
Kjo futje e Audi-t është edhe një vlerësim i madh. Kalimi te motorët hibridë dhe më të qëndrueshëm në 2026-ën është një zgjidhje për të ardhmen për sektorin automobilistik. Mezi presim të shohim logon e Audi-t në pista”.
Duesmann, drejtuesi i kompanisë së njohur gjermane, u shpreh: “Audi ka apsur sukses në ‘24 orë’ në Le Mans, në Dtm, Formula E dhe kategori të tjera. Duam ta vazhdojmë këtë histori suksesi në Formula 1 dhe m,endojmë se ky është momenti perfekt për të hyrë në F1, duke parë rregullat e reja.
Janë elementë që na kanë bërë të marrim këtë vendim, duke nisur nga fakti që kemi vendosur të jemi një prodhues makinash krejtësisht elektrike. F.1 ka vendosur t’i japë shumë rëndësi pjesës elektrike. Po ashtu, tavani i kostove e bën mjaft interesant projektin”.
Brenda këtij viti duhet bërë njoftimi se me cilën skuderi do të rreshtohet Audi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




