Ekonomi

“Formalizimi i ekonomisë s’bëhet me dajak. Qeveria fajtore për situatën”

Sabina Veizaj - Si ekspertët, ashtu edhe përfaqësuesit e biznesit bien dakord se ekonomia duhet formalizuar. Për ta formalizimi është një prej instrumenteve më të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Por formalizimi i ekonomisë sipas tyre, nuk mund të bëhet me dajak dhe masa represive në kohën kur informaliteti është në masën 50 % dhe në sektorë të caktuar mbi 60%.
“Ne duhet ta mbështesim formalizimin, jo ta kundërshtojmë. Por kjo nuk bëhet dhe nuk duhet të bëhet me masa represive policore kur është kaq e gjerë. Kjo sjellje ndaj biznesit mund të bëhej nëse ekonomia informale kapte 3-4 %. Kemi të bëjmë me një fenomen ekonomiko-social.” – thotë për gazetën “Si” Alban Zusi nga Qendra Shqiptare e Eksporteve.

Për ekspertin Zef Preçi është impresionuese se si nga kontrollet, 47% e tyre kanë rezultuar me probleme. “Kjo do të thotë se problemet nuk janë vetëm në anën e biznesit, por edhe në anën e qeverisë; si përsa u takon politikave fiskale që ndiqen, ashtu edhe nivelit të përgatitjes së administratës tatimore e doganore. Më konkretisht, ndryshueshmëria e shpeshtë e akteve ligjore fiskale; shkallëzimi i pastudjuar i biznesve për efekt të taksave, korrupsioni në administratën tatimore dhe politizimi i saj, etj janë ndër shkaqet e situatës së krijuar”-argumenton Preçi për gazetën “Si”.

Ashtu siç pritej, thotë ai, dhe siç ka ndodhur edhe në periudha të tjera, masa të ngjashme fiskale të qeverisë qendrore apo atyre vendore, ndërmeren menjëherë mbas zgjedhjeve (në rastin tonë mbas votimeve të 30 Qershorit që duket se krijuan terrenin e nevojshëm për qeverinë për t’u kthyer përsëri te “shkopi” duke braktisur “karrotën” e para votimeve…)”. “Të jemi të qartë: shpjegon ai,- derdhja e detyrimeve fiskale është detyrë e çdo subjekti dhe më shumë se kontributorë të drejtpërdrejtë, bizneset shfaqen si agjente fiskalë të qeverisë në këtë proces. Në këtë sfond, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend i rajonit ku ndërtimet e paligjshme lejohen të ndërtohen, prishen me bujë të madhe mediatike dhe mandej kompensohen me paratë e taksapaguesve; ku prishja e tyre bëhet në kulmin e sezonit turistik dhe ku mbledhja e tatimtaksave bëhet me “aksion” duke u shndërruar në jo pak raste në një presion korruptiv dhe psikologjik mbi bizneset”.

Edhe për Arben Shkodrën nga Dhoma e Prodhuesëve mënyra se si po traumatizohet biznesi, punonjësit dhe klientët është e patolerueshme dhe në një vend normal nuk do të ndodhte.
“Veprimet antiinformalitet janë të rëndësishme për të shkundur sistemin. Duhet të ndërhyet në sistem, por aksionet nuk janë të shëndetshme. Faktet tregojnë se edhe pse turizmi është prioritet i qeverisë për gjashtë muaj; nuk ka buxhet, nuk ka bashkërendim mes pushtetit qëndror dhe vendor, nuk ka program. Nuk mund të shkosh qëllimisht tek biznesi për ta kapur gafil. Duhet një sistem që të japë rezultate të qëndrueshme afatgjatë. Çfarë bëre ti si qeveri për të informuar, trajnuar bizneset dhe punonjësit e tyre? Nuk mund të shkosh me dajak, por të bashkëpunosh.”- thotë Shkodra duke pyetur “Ku kanë qenë drejtoritë rajonale? Pse arrestime vetëm në radhët e biznesit, por ndër zyrtarë që e kanë lënë gjendjen në atë që përballemi sot pse nuk arrestohen?”

Për Shkodrën zgjidhja është mirëqeverisja; strategji, buxhet dhe plan veprimi.

Kurse Zef Preçi gjykon se “është koha të kuptojmë se përmirësimi i klimës së biznesit përkthehet në ndërtim të besimit reciprok midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit, se rrënimi i imazhit të qeverisë për shkak të vendimmarrjeve klienteliste të saj deri edhe në favor të emrave të perveçëm të kompanive, nuk përmirësohet me represion mbi biznese të tjera dhe as me “aksione” apo kërcënime mediatike, se çfarëdo represioni i panevojshëm mbi biznesin ndikon te punëmarrësit, te investimet, te huamarrja bankare, etj. Dmth biznesi tkurret dhe heq dorë apo largon në kohë marrjen e riskut të investimeve të reja apo të huamarrjes bankare, kur situata është e paqartë apo thjesht ekonomia qeveriset sipas modelit “nga aksioni në aksion”, siç edhe po ndodh aktualisht…”

Sipas tij, ndoshta kështu krijohet vërtet një lloj perceptimi pozitiv rreth përpjekjeve të qeverisë për të mbledhur taksat te shtresat më të varfëra të popullisë që nuk kuptojnë mjaftueshëm se si funksionon ekonomia e tregut dhe marrëdhëniet e qeverisë me komunitetin e biznesit, “por kjo vlen vetëm politikisht për momentin, dhe është tejet kundërproduktive për të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare.”

Alban Zusi sugjeron marrjen e menjëhershme në analizë të situatës, pse njerëzit preferojnë të qëndrojnë në informalitet?

Faza e dytë sipas tij, të konsultohet biznesi i madh i cili është i interesuar që ekonomia të formalizohet tërësisht.

Dhe faza e tretë për Zusin do të duhet të jetë kombinimi i politikave për formalitetin; rritja e kostos fiskale me uljen e nivelit të taksave për ta bërë procesin më të lehtë dhe të qëndrueshëm.

“Në këtë mënyrë nuk krijojmë vakum të burimeve financiare në treg. Nëqoftëse vetëm vjelim dhe mbushim arkën e shtetit që i përdor ato para në mënyrë joefiçente, duke i shpënë vetëm në ndërtim e duke paralizuar sektorët e tjerë fitimprurës të ekonomisë, do të kemi mungesë qarkullimi në treg e për pasojë regres të ekonomisë. Duhet një balancë mes të ardhurave prej formalizimit dhe uljes së taksave. Të përfshihet edhe publiku me interest ë drejtpërdrejtë ekonomik. Të krijohen mekanizma rimbursimi”- thotë Zusi për gazetën “Si”.

Sipas Ministres së Financave Anila Denaj nga bizneset e kontrolluara deri më tani 47% kanë rezultuar me probleme. Ajo ka deklaruar se do të ndryshojë shumë shpejtë regjimi i penaliteteve dhe operacioni do të vijojë në afatgjatë.

Gjatë verës qeveria nisi aksionin anti informalitet dhe po kontrollon të gjitha bizneset në vend, ndërsa dy ditë më parë aksioni arriti kulmin me arrestimin e 15 biznesmenëve në Tiranë, të dyshuar për mashtrimin me skemën e TVSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë