Gazeta Si – Sapo janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes Çeki-Shqipëri, që nis pas pak në Pragë. Trajneri Silvinjo ka bërë zgjedhjet e tij për këtë sfidë të rëndësishme, duke iu përshtatur kundërshtarit.
Në portë luan Etrit Berisha. Përpara tij rreshtohen Hysaj djathtas, Gjimshiti dhe Ismajli në qendër dhe Mitaj majtas. Në mesfushë braziliani ka menduar të aktivizojë treshen e përbërë nga Ramadani, Bajrami dhe Asllani.
Dhe në sulm, ku kishte më shumë dilema, luajnë Sokol Cikalleshi në qendër, Asani në krahun e djathtë dhe Seferi në të majtë. Uzuni e nis nga stoli, ashtu si dhe Balliu, Gjasula, Bare e Muja.
Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do të jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.
Atmosfera kuqezi ndërkohë është ndjerë në Pragë thuajse gjatë gjithë ditës për të kulmuar pak para ndeshjes. Tifozët shqiptarë, me flamuj kuqezi dhe këngë patriotike kanë mbushur rrugët e kryeqytetit të Çekisë. Me siguri nuk do të mungojnë surprizat në shkallët e stadiumit.
Një numër i madh tifozësh ndodhet atje për të mbështetur dhe ndjekur nga afër ekipin tonë kombëtar në ndeshjen kundër Çekisë. Prej ditës së djeshme ata janë shfaqur tepër të motivuar dhe besimplotë tek ekipi i Silvinjos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.