Në finalen e së dielës ndaj Anglisë trajneri Roberto Mançini duket i orientuar për të hedhur në fushë formacionin fitues ndaj Spanjës në gjysmëfinale. Kur rreshtoi titullarët në ushtrime të ndryshme të stërvitjes së fundit në Koverçano, ai vendosi në fushë skuadrën që fitoi ndaj Spanjës, por me një shtesë, Mateo Pesinën.
Lojtari i Atalantës është dyshimi i vetëm i vogël për trajnerin italian. Barela është pak i lodhur dhe, edhe nëse do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen me Anglinë, me siguri do të jetë ndërrimi i parë me Pesinën, i cili është më i freskët fizikisht dhe mund ta ndihmojë skuadrën për të përballuar sulmet e anglezëve.
Ishte folur edhe për dy surpriza të mundshme: Florenci në të djathtë të mbrojtjes dhe Berardi në vend të Imobiles, me Insinjen në rolin e 9-s false. Në fakt, si Florenci, ashtu edhe Berardi, janë aktivizuar në formacionin e rezervave, duke lënë të kuptohet se formacioni anti-Angli do të jetë i njëjtë me atë të së martës që shkoi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.