Testi i Kardifit është shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë. Trajneri Reja do të shohë sot ndaj Uellsit se në çfarë gjendje janë të tijtë, ndërkohë që pas 3 ditësh do të ketë në dispozicion edhe miqësoren tjetër me Çekinë. Ndeshja e sotme, që starton në orën 18:00 dhe është e rëndësishme, sepse kundërshtari është i ngjashëm me Poloninë, rivali ynë, ashtu si dhe Hungaria, në kualifikueset e Botërorit.
Në konferencë shtypi trajneri Reja pohoi se do t’u japë mundësinë të gjithë lojtarëve në këto 180 minuta të tregojnë vlerat e tyre. Ai ka zbuluar disa detaje nga formacioni që ka menduar të hedhë sot në fushë. Mungojnë portierët Berisha dhe Strakosha, po ashtu edhe Hysaj, Roshi, Memushaj dhe Gjasula nuk janë në dispozicion të Rejës, ndërsa Broja shkoi te Shpresat.

Kuadratin e portës pritet ta mbrojë Gentian Selmani, ish-portieri i Laçit që luan në Turqi. Mbrojtja do të përbëhet nga tre “italianët” Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli. Për krahët trajneri Reja ka pasur dilema, alternativat janë Trashi dhe Lenjani në të majtë, me këtë të fundit favorit, dhe Doka në të djathtë. Në qendër do të jenë Amir Abrashi, sot me shiritin e kapitenit në krah, Keidi Bare dhe Endri Çekiçi.
Në sulm mendohet ta nisë nga minuta e parë shkodrani Bekim Balaj, me Rei Manajn në krah. Cikalleshi dhe Seferi janë të gatshëm për trajnerin Reja dhe pritet të aktivizohen në pjesën e dytë.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 3-5-2
Selmani
Gjimshiti Ismajli Kumbulla
Doka Bare Çekiçi Abrashi Lenjani
Balaj Manaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




