Euro 2020

Formacioni më i mirë i fazës në grupe, shumë holandezë dhe një shqiptar

Pas përfundimit të ndeshjeve në grupe të Euro 2020, UEFA ka përzgjedhur edhe 11-shen më të mirë, ku bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, me Kristiano Ronaldon në krye, por ka shkaktuar një lloj pakënaqësie tek italianët, pasi vetëm portieri Xhanluixhi Donaruma është përfaqësues i tyre në këtë formacion.

Kriteri i përzgjedhjes, duhet specifikuar se i referohet pikëzimit “fantasy” në faqen zyrtare të UEFA-s dhe ndoshta për këtë arsye Italia ka vetëm Donarumën, edhe pse paraqitja e saj në grup ishte e një niveli shumë të lartë. Mbrojtja është e përbërë nga tre lojtarë dhe ata janë Dumfris i Holandës, Laporte i Spanjës dhe belgu Meunier.

Formacioni më i mirë i fazës në grupe. Gazeta Si, 25 qershor 2021

Mesfusha ideale, sipas UEFA-s, përbëhet nga katër futbollistë: Jarmolenko i Ukrainës në të djathtë, Uijnaldum i Holandës dhe Shaqiri i Zvicrës në qendër, si dhe suedezi Forsberg në të majtë. Në sulm, bashkë me portugezin Kristiano Ronaldo, janë edhe Patrik Shik i Çekisë dhe Memfis Depai i Holandës.

Holanda është kombëtarja që përfaqësohet me tre lojtarë në këtë formacion, pastaj Belgjika, Italia, Spanja, Zvicra, Ukraina, Suedia, Portugalia dhe Çekia me nga një lojtar. Mungojnë emra të mëdhenj, por edhe kombëtare të mëdha, si Franca, Gjermania dhe Anglia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë