Kombetarja

Formacioni anti-Poloni, mungesa e Cikalleshit i hap rrugën Manajt

Vendi i dytë në grup, që e mban Shqipërinë me shpresa për të shkuar në Botërorin e Katarit, varet nga 90 minutat e sotme në “Air Albania”. Sfida me Poloninë, rival direkt për vendin e dytë, ka marrë rëndësi të madhe për rrjedhën që kanë marrë gjërat. Kuqezinjve u bën punë vetëm fitorja. Me barazim e mbajmë Poloninë prapa 1 pikë, por ajo mund të na kalojë në dy ndeshjet e fundit, ku Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe Anglinë kryesuese.

Planet e trajnerit Edi Reja u prishën nga mungesa e Sokol Cikalleshit, sulmuesit kryesor që doli pozitiv me Covid-19. Shanset më të mëdha janë që vendin e tij ta marrë Manaj, cili ngjason më shumë me lojën e tij, është një sulmues që luan me shpinë nga porta. Për sulmuesin tjetër Reja ka qenë i dyzuar mes Brojës dhe Uzunit, me të parin që duket pak më i avantazhuar, edhe pse italiani e ka thënë shpesh se “heroi” ndaj Hungarisë ka rendiment kur hyn në fushë si zëvendësues.

Në prapavijë trajneri Reja do të ruajë ekuilibrin e zakonshëm, me Veselin në vend të Gjimshitit, Kumbullën dhe Ismajlin. Kapiteni Berisha në portë. Hysaj dhe Trashi në krahë do të jenë ndoshta lojtarët më të rëndësishëm, pasi kanë detyrën e vështirë për të ndihmuar skuadrën në të dyja fazat e lojës, mbrojtje-sulm. Ivan Balliu mund të jetë një alternativë, por edhe sot ai e nis nga stoli.

Në treshen e mesfushës, Bares dhe Gjasulës do t’u shtohet Nedim Bajrami, i cili do të marrë vendin e Çekiçit të skualifikuar. Në Hungari Bajrami hyri në fushë në pjesën e dytë dhe bëri një lojë të mirë. Sot , para mijëra tifozëve kuqezi, ka një tjetër shans të lërë gjurmë me fanellën e Kombëtares. Ndeshja nis në orën 20:45, në një stadium plot me tifozë kuqezi, të cilët ëndërrojnë Botërorin.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Berisha

Ismajli Kumbulla Veseli

Hysaj Bare Gjasula Bajrami Trashi

Broja (Uzuni) Manaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë