Italia dhe Spanja, dy përfituesit më të mëdhenj të fondit të rimëkëmbjes nga COVID-19 prej 750 miliardë € nga Brukseli, përballen me pengesa administrative në shpenzimin e mbështetjes financiare të paparë të BE-së gjatë viteve të ardhshme, kanë paralajmëruar ekspertët dhe ekonomistët.
Nga mesi i vitit 2021, Komisioni Europian do të fillojë shpërndarjen e parave të marra hua nga fondi i saj historik i Rimëkëmbjes së Brezit të Ri për vendet anëtare, me qëllim që të ushqejnë ekonomitë e tyre pas bllokimeve të shkaktuara nga pandemia. Italia dhe Spanja, të cilat janë ndër vendet më të mëdha dhe më të goditura të BE-së, do të jenë dy përfitueist kryesorë të ndihmës që është krijuar për të financuar projekte afatgjata investimesh dhe për të inkurajuar rritjen.
Si do të shpenzohet fondi?
Por të dy vendet kanë një historik me performancë të dobët në shpenzimin e parave të BE-së – një proces i njohur si “thithje” – duke çuar në shqetësime se paratë e gatshme nga Brukseli mund të mos shpenzohen duhur për shkak të pengesave burokratike dhe administrative. Spanja ka shkallën më të dobët të përthithjes së fondeve të investimeve strukturore të BE-së nga 2014 në 2020 me 39 përqind, ndërsa Italia është 40 përqind, sipas shifrave të Komisionit Europian. Vetëm në vitin 2019, Italia kishte normën më të ngadaltë të përthithjes në BE me vetëm 30.7 përqind të fondeve që ishin paguar, sipas Gjykatës Europiane të Auditorëve.
Marcello Messori, një ekonomist në Universitetin Luiss në Romë, tha se Italia për të cilën janë përcaktuar 208 miliardë euro nga paratë e rimëkëmbjes të BE-së, një kombinim i granteve dhe huave, ishte një “mundësi kolosale, por edhe një angazhim i paparë administrativ dhe menaxherial për Italinë”.
Të gjithë vendet anëtare të BE-së duhet të paraqesin plane të hollësishme të reformave në Bruksel deri në muajin prill, duke përcaktuar se si ata planifikojnë të përdorin huatë dhe grantet që janë krijuar për të rritur inovacionin, dixhitalizimin dhe për të lehtësuar tranzicionin e gjelbër. Brukseli më pas do të shqyrtojë me vëmendje reformat dhe do të shpërndajë paratë nga gjysma e dytë e 2021 dhe deri në fund të 2023.
“Ka ende shumë paqartësi në lidhje me gjendjen e përgatitjes së planit italian dhe në shumë raste fusha është shumë e gjerë,” tha profesor Messori. “Me mbi 50 projekte të padetajuara të propozuara, Italia ende nuk i ka fokusuar propozimet, por mbi të gjitha ende nuk e ka zgjidhur problemin se kush duhet të mbikëqyrë zbatimin e projektit.”

Qeveria e udhëhequr nga socialistët e Spanjës ka në plan të përdorë rreth 70 për qind të 72 miliardë eurove të granteve të fondeve të rimëkëmbjes, mes 2021 dhe 2023 për investime të gjelbra dhe transformimin dixhital. (Mund të marrë deri në 140 miliardë euro në grante dhe kredi në periudhën mes tani dhe 2026.)
Qeveria e udhëhequr nga socialistët e vendit ka miratuar gjithashtu edhe një dekret të krijuar për të ndihmuar Spanjën të kapërcejë vështirësitë e saj në thithjen dhe shpenzimin e fondeve të BE-së në mënyrë efikase. Masa synon të ndihmojë modernizimin e administratës publike, rritjen e bashkëpunimit të sektorit publik-privat dhe për të shpenzuar më shumë sipas rregullave urgjente të kontraktimit.
Manuel Hidalgo, një bashkëpunëtor i vjetër në Qendrën Esade për Politikë Ekonomike, tha se “burokracia e madhe dhe e ndarë e Spanjës – me 8,000 subjekte të shpërndara në nivele kombëtare, rajonale dhe lokale – e kombinuar me një ligj të ndërlikuar të kontraktimit publik shkaktojnë një vonesë mesatare prej një viti për të gjykuar një kontratë “Ne kemi nevojë për të reformuar administratën publike,” tha Z. Hidalgo.
Ndërsa Spanja tashmë ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë në autostrada dhe trena me shpejtësi të lartë, qeveria do të duhet të projektojë dhe mbikëqyrë shumë investime më të vogla dhe më të komplikuara në dixhitalizim, teknologji me karbon të ulët dhe zhvillimin e biznesit, tha Juan Viesca, ish-drejtori i përgjithshëm i Fondeve dhe Projekteve Europiane për rajonin e Valencias dhe Drejtorit aktual i Fondeve Europiane në fondacionin Finnova me bazë në Bruksel. Ai tregon se vendet e varfëra si Polonia kanë caktuar para për projekte të tilla si “autostrada, spitale dhe porte që thithen më shpejt”.
Përveç marrjes së parave nga plani i ndihmës emergjente COVID-19, qeveritë e BE-së do të duhet gjithashtu të shpenzojnë një buxhet të ri të përbashkët 1,1 milion që fillon këtë vit dhe përfshin qindra miliarda para për kohezionin, për të financuar rritjen e rimëkëmbjes së shteteve më të varfra anëtare. Henning Fahland, kreu i Task Forcës së Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë në Ministrinë Gjermane të Financave, i cili negocioi paketën e buxhetit, e ka përshkruar thithjen si një “sfidë për të gjithë”.
Enzo Moavero Milanesi, ish-ministër i Jashtëm italian dhe ministër i Europës, tha se vendit “kurrë nuk i ishte dhënë shansi të shpenzonte një shumë të këtij lloji në vitet e fundit” por paralajmëroi se plani kombëtar i rimëkëmbjes së Romës ende nuk kishte “dalë nga furra”.
“Ne ende nuk jemi kthyer në anën e biznesit, te kompanitë, te firmat, në mënyrë që projektet konkrete të vijnë direkt nga terreni. Është e vështirë të mendosh se gjithçka mund të punohet në një nivel administrativ, ”tha Z. Milanesi. Ai tha se vendi ka vuajtur nga një “numër i pafund rregullash dhe kufizimesh administrative që komplikojnë tregun” dhe gjithashtu është penguar historikisht nga shpenzimet publike duke pasur raportin e dytë më të lartë të borxhit publik ndaj produktit të brendshëm bruto në BE.
“Në teori, problemi i borxhit publik mund të kapërcehet duke përdorur fondet europiane. Mundësia është e pabesueshme, por nëse vonojmë gjithçka, këto burime mund të mos prodhojnë efektet e dëshiruara ”, tha Z. Milanesi./Financial Times /Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



