Mjedis

“Fondet e qeverisë pas pandemisë të përdoren për investime të gjelbra”

Shoqatat mjedisore kërkojnë që fondet e qeverisë dhe të donatorëve për rimëkëmbjen e bizneseve pas pandemisë së Covid-19, të përdoren për investime të gjelbra tek bizneset apo kompanitë. Në Dita Ndërkombëtare të Mjedisit, Endri Haxhiraj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikën e Mjedisit, thotë se në këtë mënyrë jo vetëm sigurohet rimëkëmbja e bizneseve por sigurohet edhe një investim afatgjatë dhe miqësor me mjedisin dhe shëndetin e njeriut.


“Disa nga këto kërkesa kanë të bëjnë me nxitjen e riciklimit tek bizneset, mbështetje për bujqësinë organike, investime për energjinë e ripërtërishme, agro-pylltarinë, përmirësim i infrastrukturës se transportit ekologjik, kthimi i kompanive shtetërore në kompani miqësore me mjedisin, prokurime të produkteve ekologjike nga institucionet shtetërore etj. Një veçanti në këto kërkesa është edhe ndalimi i qarkullimit të makinave në qytete ditën e Shtunë pas mesditës dhe të Dielën. Me këtë veprim është pare se qytetet me shume fitojnë sesa humbasin, ka ajër me të pastër, do të nxitet transporti ekologjik, lëvizja fizike e njerëzve dhe për pasoje jetesë me e shëndetshme në qytet,” i tha Haxhiraj Gazetës “Si”.
Ai shpjegon se biznesi është një ndër faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen ose shkatërrimin e mjedisit. Ndikimi negativ mbi mjedis, është një faturë që u kushton të gjitha vendeve në zhvillim, pavarësisht angazhimeve të njëpasnjëshme të tyre dhe fushatave mjedisore.

Biznesi është një nga faktorët kryesorë të këtij ndikimi sipas Haxhiraj. Sipas tij një shembull i tillë është biznesi i bujtinave ne Theth dhe Valbonë.
“Duke qene se bizneset atje ia "kanë parë hajrin" mjedisit dhe natyrës rrethuese, ata nuk lëne asnjë njeri të pandërgjegjshëm apo element keqbërës të presë pemët apo të vërë zjarre në pyje, nuk lënë të shkatërrojnë lumenjtë apo peizazhet e ndryshme natyrore si dhe tentojnë prodhimin e produkteve bio pa kimikate të dëmshme,” shprehet eksperti i mjedisit.
Shqiptarët kanë pasur ndikim të madh në mjedisin e tyre. Ka nga ata që shbatrrojnë bimësinë edhe habitatet e kafshëve qëllimisht. Jo më larg se dje organizata Qendra për Ruajten dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), denoncoi dëmtimin e Malit të Zepës nga zjarrëvënia e qëllimshme.
Haxhiraj shpjegon se kjo është një kambanë që duhet të na mbajë zgjuar për të parandaluar djegien e maleve dhe pyjeve të tjera. Vetëm parandalimi është arma me e fortë dhe "më e lehtë" që kemi. Eksperti i mjedisit shpjegon se duhet të ndërgjegjësohet komuniteti dhe mbrojtësit lokale të këtyre zonave por dhe publiku i gjere për të kuptuar se këto janë disa të mira natyrore që na janë dhëne "falas" nga natyra dhe nuk kthehen më.
“Pasojat nuk janë vetëm të brezit të njerëzve të tanishëm për të gjithë brezat që do të vijnë me pas të cilët do të na fajësojnë ne për mungesën e vigjilencës dhe dëshirës për të mbrojtur mjedisin apo për egon e tepruar të këtij brezi,” shton Haxhiraj.
*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë