Treg

Fondet e investimit, vlera e tregut kalon 61 mld lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në tre muaj, më shumë se 7 mijë anëtarë janë bërë pjesë e fondeve të investimit, duke e çuar në total numrin e anëtarëve 37.7 mijë.

Sipas shifrave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në dhjetor 2024, vlera e aseteve të këtij tregu arriti në 61.36 mld lekë, me një rritje vjetore 22%, më e lartë se një vit më parë.

Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare dhe bono, të cilat përbëjnë 79.24% të aseteve të fondeve, ndërsa 6% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare.

Fondet e “Raiffeisen” janë ato që mbajnë pjesën më të madhe të tregut të fondeve të investimit, me më shumë se 35 mijë anëtarë dhe mbi 50 mld lekë. Numri i fondeve të investimit në fund të vitit arriti në 18, nga të cilat 4 janë fonde investimi alternative.

Fondet e Investimit janë një grumbullim asetesh financiare ose parash në gjuhën e përditshme, të cilat menaxhohen nga një shoqëri e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me objektivin parësor për t’i investuar këto para për të prodhuar fitim për investitorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë