Treg

Fondet e investimit në Shqipëri u rritën gjatë 2023-shit. Kryeson shoqëria ‘Raiffeisen’

Nga Gazeta ‘SI’ – Fondet e investimit në Shqipëri kanë pasur një vit pozitiv, të paktën sipas shifrave. Statistikat nga Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në fund të shtatorit 2023, fondet e investimit kishin në total rreth 31.3 mijë anëtarë, me një rritje 8% nga fundi i 2022-shit.

Edhe në vlerë, asetet e fondeve të investimit përjetuan një rritje gjatë të njëjtës periudhë. deri në fund të shtatorit, vlera totale iu afrua 45 mld lekëve, me një rritje po me 8%.

Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 70% të aseteve të fondeve. Aty operojnë 13 fonde investimi, ku pjesën më të madhe, si në numër anëtarësh dhe në vlerë investimi e ka grupi i Raiffeisen.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.

Pak kohë më parë, FMN i rekomandoi AMF-së të ushtrojë më shumë kujdes dhe të fokusohet në rritjen e këtij segmenti si një element me rëndësi për tregun financiar vendas.  

Së fundmi, Parlamenti miratoi ligjin e ri për “Fondet e pensioneve private”, një tjetër lloj investimi, që menaxhohet kryesisht nga shoqëritë e sigurimeve dhe jo bankave tregtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë