Politike

‘Foltorja’ në Korçë, Berisha: Korrupsioni në Shqipëri po shqetëson edhe Uashingtonin

Nga Gazeta ‘SI’ –Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte sot në qytetin e Korçës, si pjesë e turit të “Foltores”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se shqetësimet për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar tashmë nuk janë vetëm çështje të brendshme, por sipas tij kanë ndezur ‘sirenat e alarmit’ edhe në Uashington, duke e cilësuar situatën në Shqipëri si rrezik për demokracinë dhe stabilitetin europian.

Berisha vazhdoi me akuzat ndaj qeverisë duke thënë se Rama dhe Balluku i kanë ditët e numëruara, teksa theksoi se në qeverisjen e PD nuk i bëhej rezistencë Prokurorisë dhe ish-kryeprokurores “armike e betuar” e tij, Ina Ramës, por hiqej imuniteti i deputetit kur kërkohej.

Më tej Berisha tha se qëllimi i Ramës dhe mazhorancës është të copëtojnë opozitën.

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi gjallë, në këmbë, të fortë dhe të sigurtë në fitore. Jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrë të padrejtë u morën akte brutale, të turpshme, në projektin Shqipëria pa opozitë, projekt për copëtimin e saj, me qëllimin Shqipëria pa opozitë. Për izolimin më të thellë të forcës më properëndimore në historinë e kombit, megjithatë ne triumfuam. Ne u ringritëm me kauzat tona, nga izolimi, si feniksi nga hiri u ringritëm”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj Ramës, se ka marrë të gjitha pushtetet.

“Donin të na shkatërronin, kauzat tona u sanksionuan me 7 rezoluta. Rama donte të na zhdukte, si diktaturë, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë