Nga Gazeta ‘Si’- Opozita mbajti mbrëmjen e sotme (15 dhjetor) Foltoren e saj të pestë para kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë “Rama”.
Kjo protestë i paraprin asaj kombëtare që do të mbahet të hënën e ardhshme (22 dhjetor), po në bulevardin para Kryeministrisë, teksa Partia Demokratike ka njoftuar publikisht tërheqjen nga të gjitha komisionet parlamentare, përfshi Territorialen dhe Zgjedhoren.
Në fjalën e tij, kreu i PD Sali Berisha tha se sipas tij, e vetmja mënyrë për të rrëzuar nga pushteti këtë mazhorancë është vetëm protesta dhe “kacafytja”.
Ai përsëriti thirrjen për rezistencë të vazhdueshme, duke u zotuar se opozita nuk do të largohet nga sheshi deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë. Duhet të jemi të vërtetë me veten tonë, se e lejojmë ne, e u jap fjalën e nderit se kur ta zëmë këtë shesh me betimin se nuk do e lëshojmë deri në largimin e tij, se do ia mbathë. Por dua të them këtu, koha ka kaluar sigurisht, megjithatë vijmë më të vendosur se kurrë. Dy mbledhje janë bërë dy ditët e fundit nga forumet e PD-së, Kryesia dhe Grupi Parlamentar, kanë dalë me një vendim solemn, të përvishemi deri në fitore, se rrugë tjetër përveç protestës, përballjes, kacafytjes me të nuk ka dhe nuk mund të ketë.”, tha Berisha.
Sipas tij demokratët dhe shqiptarët nuk duhet të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për të krijuar frontin më të gjerë opozitar të mundshëm në betejë për rrëzimin e qeverisë.

“Ju garantoj se PD-ja do të përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës, gjer në largimin e tij. Cila është më e mira, më kryesorja. Zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Këtu duhet të vijnë njerëzit e betuar për të shpëtuar Shqipërinë. Si opozitë, le të paraqesim para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do të japë llogari për vjedhjet që opozita e akuzon dhe u kërkoi simpatizantëve të tij të bëjnë maksimumin para protestës kombëtare që do të zhvillohet më 22 dhjetor.
“Edhe mbrapa diellit po shkove llogari do japësh për të gjitha këto që ke bërë. Këto ditë nga e hëna gjer të dielën të bëjmë çdo gjë, të mbledhim dhe të takojmë çdo guximtar. Koha është e guximtarëve që vendosin të sakrifikojnë dhe ju garantoj ju se fitorja jonë është e pashmangshme”, tha Berisha.
Edhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa, teksa foli nga podiumi, denoncoi ligjet abuzive të mazhorancës për oligarkët, deri edhe te amnistia fiskale dhe refuzimin e amendimeve të opozitës për minimumin jetik, rritjen e ndihmës ekonomike, pensioneve, dëmshpërblimeve nga përmbytjet dhe ilaçet e spitaleve.

“Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria, dikush për shkak të sëmundjes së nënës, dikush se nuk sheh të ardhmen dhe të gjithë kanë arsye, nuk kanë shpresë për Shqipërinë. Jemi afër festave dhe familjet shqiptare janë varfëruar, ata mendojnë se si do të shtyjnë javën, se nuk mund të bëjnë dot asnjë dhuratë për fëmijët e tyre. Shumë prej tyre sipas INSTAT jetojnë në varfëri ekstreme, këta nuk bëjnë as ligjin e minimumit jetik. Parlament që mendon vetëm për njerëzit e vetë, bëjnë amnisti fiskale për të falur miliona euro për mbështetësit e tyre, ndërkohë që mund të jepeshin për familjet në nevojë.
A mund të mbijetosh me 60 mijë lekë të vjetra në muaj? Po me pensionin rural?”, tha ligjvënësja demokrate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




