Ngjarje

‘Fol’ për drejtësinë / Hipotekat, institucioni më i paditur. Kallëzimet për ‘shpërdorim detyre’ arkivohen në Prokurori

Një monitorim një vjeçar i qendrës “Fol” për drejtësinë ka nxjerrë në pah disa problematika kryesore teksa ka ndjekur nga afër ecurinë e proçedimeve penale të regjistruara në Prokurorinë, Tiranë dhe SPAK.

Së pari; Hipoketat janë institucioni më i kallëzuar gjatë një viti, së dyti; forma e korrupsionit më e shpeshtë (e denoncuar kryesisht nga qytetarët)  është vepra penale e “shpërdorimit të detyrës” dhe së treti; rastet në fjalë (që lidhen me shpërdorimin e detyrës) nuk kalojnë as fazën e parë atë të fillimit të hetimeve në organin e akuzës.

Nga monitorimi rezulton se 175 raste, më shumë se gjysma e kallëzimeve për “Shpërdorim detyre” nuk kanë filluar nga Prokuroria e Tiranës, si dhe në 3 raste të tjera është kërkuar pushim i hetimeve.

Raporti

Ekspertët e Qendrës “FOL”, nga 1 Nëntori 2020 deri më 30 Shtator 2021, monitoruan sipas një metodologjie proactive, ecurinë e proçedimeve penale të regjistruara në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Monitorimi përfshin cdo hallkë të shqyrtimit të proçedimeve edhe pranë sistemit gjyqësor në të gjitha shkallët.

Me përjashtim të çështjeve të mosfilluara dhe të pushuara për të cilat të dhënat gjenden në databazin e brendshëm me qëllim ruajtjen e të dhënave personale, në databazën e publikuar në websiten www.fol.org.al gjenden online të dhënat e përditësuara rast pas rasti për 41 vepra penale nën monitorim. Nga 1 nëntori 2020 – deri në 30 shtator 2021 u monitoruan 1910 çështje, ndërkohë që monitorimi ka vijuar edhe gjatë muajit tetor 2021 ndaj çdo hallkë duke nisur nga policia më tej prokuroria dhe gjykatat.

Korrupsioni

Janë monitoruar në total 578 raste të përfshira në kategorinë e veprave të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë në tendera që janë rreth 30 përqind e numrit total të çështjeve të monitoruara. Volumin më të lartë të institucioneve të kallzuara e përfshin Agjencia Shtetërore e  Kadastrës, administratorë të njësive të qeverisjes vendore, Operatori  i  Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit  e më tej gjyqtarët, prokurorët dhe efektivët e policisë.

Në kategorinë e korrupsionit, peshën më të madhe e ka vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” e cila është monitoruar në 369 raste, ose 69%. Por nga monitorimi rezulton se për rastet e “Shpërdorimit të detyrës” qytetarët kanë rol aktiv dhe kanë kallëzuar në 144 raste , kurse pjesa tjetër është kryer nga institucionet.

Në 92 raste, qytetarët kanë zgjedhur të denoncojnë në Spak, por ky i fundit ka shpallur moskompetencën, duke i referuar çëshjet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tianë për kompetencë. Nga monitorimi rezulton se 175 raste, më shumë se gjysma e kallëzimeve për “Shpërdorim detyre” nuk kanë filluar nga Prokuroria e Tiranës, si dhe në 3 raste të tjera është kërkuar pushim i hetimeve.

Statusi proçedural i shtetasve të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kategorinë “Korrupsion

Përdorimi dhe shitja - Lëndët Narkotike

Qendra “Fol” ka monitoruar në total 1320 raste të referuara në fushën e drogave nga 1 Nëntor 2020 deri në 30 Shtator 2021. Peshën më të madhe e  zë vepra penale e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” që parashikohet nga neni 283 i Kodit Penal me 711 raste, ose përkatësisht qytetarë të përfshirë.

Në pjesën më të madhe të rasteve për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, Policia ka vepruar me proçedimin në gjendje të lirë të qytetarëve për këtë vepër penale, e konkretisht 478 shtetas, ndërkohë 229 janë arrestuar.

Nga monitorimi, rezultoi se Prokuroria ka vendosur mosfillim hetimesh  362 raste që janë referuar në gjendje të lirë, ose e përkthyer në përqindje 51%.

Nga të dhënat e monitoruara konstatohen rreth 52 raste ose rreth 4%, në të cilat personat e përfshirë janë të mitur ose të rinj, të moshave 14-23 vjeç. Mbeten shqetësim veprat penale në të cilat këto të mitur rezultojnë të përfshirë, pa u kufizuar vetëm në “prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike” (neni 283 K.P.); “kultivimi i bimëve narkotike” (neni 284 K.P) etj. 

Pjesa më e madhe e shtetasve janë proçeduar në gjendje të lirë nga ana e Policisë, më konkretisht 68% ose rreth 478 shtetas.

Masa e sigurimit “arrest në burg” është kërkuar nga ana e prokurorit për 93 raste ose rreth 44%. Por vetëm për 82 raste kjo masë është aprovuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërkohë që kjo masë sigurimi u ruajt e pandryshuar deri në Gjykatën e Apelit për 40 raste.

Rekomandime në luftën kundër korrupsionit:

1- Proçedimi i shtetasve në gjendje të lirë, për vepra penale nën kategorinë e korrupsionit nxit në analizimin e disa faktorëve, të cilat rekomandojmë që të mbahen parasysh në mënyrë proporcionale rast pas rasti, si: politika penale humaniste drejt tendencës për ekzekutimin në nivele më të reduktuara të masave të sigurimit; niveli i lartë i pandëshkueshmërisë në rastin e veprave penale në fushën e korrupsionit; mungesa e kapaciteteve të autoriteteve proçeduese për të ngritur akuzën mbi bazën e indicieve dhe provave përtej çdo dyshimi të arsyeshëm; ose perfeksionimi i mënyrës së kryerjes së veprës penale nga ana e ish-funksionarëve apo funksionarëve aktualë të lartë në institucione të nivelit qëndror apo vendor, të cilët e shndërrojnë në të pamundur arritjen e objektivit për vënien para përgjegjësisë të autorit konkret.

2- Krahas rëndësisë që SPAK ka fituar në raport me rikthimin e besimit tek qytetarët, rekomandojmë ndërmarrjen e hapave konkretë dhe objektivë nga ana e SPAK për hetimin dhe gjykimin e çështjeve në fushën e korrupsionit, me impakt për interesin publik, brenda afateve të arsyeshme kohore. Në këtë këndvështrim, informimi në kohë reale i publikut nuk duhet nënvlerësuar.

3-Përfaqësuesit e organit të akuzës duhet t’i kushtojnë rëndësi argumentimit të vendimmarrjeve të mosfillimit të çështjes apo proçedimit penal. Zvarritja e çështjeve të ndryshme nga ana e përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, e cila mund të jetë ndikuar edhe nga dinamika e reduktuar e proçesit të vettingut dhe vakancat e krijuara për një kohë të gjatë në sistemin gjyqësor, duhet të jenë proporcionale duke mos prodhuar cënim në thelb të së drejtës. Dhënia e drejtësisë brenda afateve të arsyeshme kohore, është një nga komponentët thelbësorë të proçesit të rregullt ligjor parashikuar nga neni 6 KEDNJ. Për këtë qëllim, sugjerojmë që vendimmarrja e organit të akuzës për mosfillimin e këtij procedimi penal nuk duhet të fokusohet vetëm në anën subjektive të faktorëve që mund të kenë nxitur kallëzuesin në depozitimin e kallëzimit, por duhet të reflektojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe objektive, duke promovuar tek publiku rëndësinë e garantimit të proçesit të rregullt ligjor.

4-Sugjerohet unifikimi i vendimmarrjeve sa i përket kërkesave për masat e sigurimit të depozituara nga ana e Prokurorisë, në rastet e personave të dyshuar nën akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, duke mbajtur parasysh kriteret e përcaktimit të masave dhe shmangien e premisave për ndikim në proçesin hetimor, ndërkohë që ata vijojnë funksionet e tyre publike në kontakt të vazhdueshëm me provat dhe indiciet objekt hetimi.

5-Hetimi dhe gjykimi i krimeve zgjedhore sugjerojmë që të realizohet brenda afateve të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të gjithanshme, sa kohë që nuk humbet aktualiteti i rivendosjes në vend të së drejtës së cënuar, duke nxitur vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, qofshin ata dhe funksionarë publikë.

6-Hapa konkretë duhet të ndërmerren në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile dhe faktorin ndërkombëtar, për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve nëpërmjet edukimit ligjor të tyre mbi krimet zgjedhore, veprat penale në fushën e lëndëve narkotike dhe psikotrope, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

7-Sugjerohet ndërmarrja e masave për forcimin e planeve dhe strategjive në favor të policimit në komunitet, një praktikë e suksesshme në luftën kundër korrupsionit vertikal dhe atij horizontal.

8-Në rastet kur institucionet publike janë depozitues të kallëzimeve penale, sugjerojmë ndëmarrjen proaktive të të gjitha hapave proceduralë për ankimimin e vendimmarrjeve të mosfillimit të Prokurorisë, duke ja besuar shqyrtimit gjyqësor.

9-Rekomandohen ndërmarrja e përpjekjeve të përbashkëta nga aktorët pjesë e mekanizmit të ofrimit të drejtësisë penale, për të diskutuar rreth sfidave të konstatuara gjatë zbatimit të reformës në drejtësi dhe impaktin e tyre në raport me qytetarët, si dhe metodologjinë që duhet të ndiqet për arritjen e rezultateve konkrete dhe efiçente në luftën ndaj korrupsionit.

Në luftën kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar

1-Organet proçeduese pranë juridiksionit të përgjithshëm dhe SPAK duhet të zgjerojnë hetimet sa i përket veprave penale të kategorizuara si krim i organizuar. Hetime të detajuara, në raport me perfeksionimin e mjeteve dhe teknikave të hetimit duhet të vihen në zbatim, si një masë e efektshme ndaj perfeksionimit të mënyrës së realizimit të veprave penale nga ana e organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara.

2-Të ndërmerren hapa konkretë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbi vënien në zbatim të një mekanizmi të mirë-administruar dhe funksional ndërmjet institucioneve penitenciare dhe njësive të qeverisjes vendore, në favor të rehabilitimit dhe ri-integrimit të shtetasve në shoqëri pas kryerjes së dënimit, me synim shmangien e recidivizmit.

3-SPAK dhe Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë duhet të marrin hapa në hetimin pro-dinamik të çështjeve të identifikuara në fushën e lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar, duke individualizuar përgjegjësinë penale për secilin të bashkë-pandehur sipas rolit të luajtur.

4-Të nxitet partneriteti ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të specializuara të shoqërisë civile për ofrimin e shërbimeve dhe trajtimeve ndaj shtetasve të mitur (por jo vetëm), të cilët vuajnë nga varësia nga lëndët psikotrope dhe narkotike.

5-Të rritet bashkëpunimi dhe kordinimi i insitucioneve përgjegjëse në luftën kundër abuzimit me substance narkotike.

6-I rekomandohet Ministrisë së Arsimit inicimi i fushatave ndërgjegjësuese në shkolla, lidhur me pasojat nga përdorimi i substancave narkotike, me synim fuqizimin e parandalimit.

7-Të alokohen fonde respektive për shtimin e organikës dhe përmbushjen e vakancave (nëse ka) pranë IML-së, për sa kohë që konkluzionet e akt-ekspertimeve toksikologjike vonojnë në kohë dhe ndikojnë në vendimmarrjen ndaj shtetasve të privuar nga liria.

8-Nisur nga perfeksionimi i mënyrës së veprimit nga organizatat kriminale dhe pamundësia e ekzekutimit të masave të sigurimit ndaj drejtuesve të tyre (shpesh herë), sugjerojmë marrjen e hapave konkretë për analizimin e trendeve dhe dinamikës së këtyre figurave të veprave penale, si dhe diskutimin mbi impaktin e fenomenit .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë