Ekonomi

Ulet pritshmëria për rritjen ekonomike të Shqipërisë, FMN: Në 2028 inflacioni normalizohet

Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur përsëri parashikimin për rritjen e ekonomisë shqiptare në vitin 2023. Nga 2.5% që ishte pritshmëria në raportin e tetorit, në pasqyrën e fundit ekonomike globale, të publikuar së fundmi, FMN pret rritje me vetëm 2.2%.

Ekonomia vendase pritet të përshpejtohet në 3.3% ë vitin 2024 dhe të mbesë përafërsisht në këto nivele deri në 2028-n, kur pritet të zgjerohet me 3.4%.

Për inflacionin në Shqipëri, FMN parashikon se do të vijojë të mbetet më i lartë se rritja ekonomike, mesatarisht 5% për 2023-shin. Inflacioni do të ulet në vitet në vijim për të zbritur në 3%, që është dhe objektivi i bankës së Shqipërisë vetëm në vitin 2028.

Ndër vendet e rajonit, Kosova dhe Mali i Zi parashikohen të kenë ecurinë më të mirë ekonomike në 2023, me përkatësisht 3.5 dhe 3.2%. Serbia dhe Bosnjë Hercegovina do të zgjerohen me 2%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut pritshmëritë janë më pesimiste, me vetëm 1.4%.

FMN ia atribuon rritjen e dobët ekonomike shtrëngimit të politikës monetare dhe uljes së ngadaltë të inflacionit. Rreziqet në të ardhmen janë shtuar, pasi stresi i sistemit financiar mund të përhapet, duke dobësuar ekonominë reale.

Bankat qendrore duhet të jenë të qëndrueshme në politikën e tyre për të frenuar inflacionin, por gjithashtu të jenë të gatshme të rregullojnë dhe përdorin instrumentet e politikës – duke përfshirë adresimin e shqetësimeve të stabilitetit financiar – në linjë me zhvillimet ekonomike.

Politikëbërësit fiskalë duhet të mbështesin veprimet e politikëbërësve monetarë dhe financiarë për të rikthyer inflacionin në objektiv duke ruajtur stabilitetin financiar.

Në shumicën e rasteve, qeveritë duhet të synojnë për politika shtrënguese, duke ofruar mbështetje të synuar për ata që po luftojnë më shumë me krizën e kostos së jetesës, rekomandon FMN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë