Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të saj për Shqipërinë thekson se sistemi tatimor në vendin tonë lë hapësirë për evazione dhe vuan nga shkalla e lartë e informalitetit në këtë sektor.
FMN tregon dhe se vetë autoriteti tatimor nuk ka aftësinë për të pasqyruar plotësisht listën e tatimpaguesëve sepse paraqitja e një deklarate tatimore nuk është e detyrueshme.
Sipas FMN-së, Shqipëria ka nevojë për një sistem tatimor gjithëpërfshirës që mbulon të gjitha grupet e taksapaguesve me rregulla të drejta dhe stimuj të duhur, për t’u siguruar që të gjithë të paguajnë një barrë të drejtë tatimore.
“Taksat mbi pronën dhe mjedisin janë burime efikase të ardhurash, të cilat janë të pashfrytëzuara në sistemin tatimor shqiptar. Taksat e pronës dhe ato mjedisore bazohen në parimet e duhura, por normat e taksave janë shumë të ulëta dhe ka shumë përjashtime që kufizon të ardhurat nga kjo nënndarje”, thotë FMN.
Në raport thuhet se deklarimi i pagave nën vlerën reale minimizon kontributin që vjen nga tatimi mbi të ardhurat personale, TAP, në buxhet. FMN rekomandon që pragjet e TAP dhe të sigurimeve shoqërore duhet të harmonizohen për të reduktuar kompleksitetin dhe barra e përgjithshme tatimore mbi punën nuk duhet të pengojë rrugën drejt formalizimit për bizneset e vogla. Gjithashtu, sistemi tatimor vlerësohet si kompleks dhe i fragmentuar.
Më tej, Fondi thotë se nëse Shqipëria vendos një sistem tatimor më të drejtë dhe më të thjeshtë vetë vendi do të bëhej më tërheqës për investimet e huaja dhe do të ndihmonte ekonominë lokale.
Raporti i Fondit është punuar në vitin 2020 dhe është publikuar këtë vit. Përgjatë dy viteve në sistemin tatimor vendas ka pasur ndryshime teknike dhe administrative.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.