Nga Gazeta ‘SI’ – Zv.drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, u shpreh se Shqipëria duhet të vazhdojë arritjen e reformave, të forcojë institucionet dhe të përmirësohet qeverisja, ndonëse ka sfida botërore e lokale.
“Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e çmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin”, u shpreh Li.
Zv.drejtori i FMN erdhi në Shqipëri për një takim zyrtar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, ku vlerësoi dhe masën e normalizimit të politikës monetare në vend, për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste.
Duke i parashtruar Li situatën makroekonomike të vendit, Sejko u shpreh se edhe pse në një mjedis të vështirë, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej.
“Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Guvernatori.
Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



