Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar sërish rritjen e PBB-së së Shqipërisë për vitin 2021. Sipas FMN-së, PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me 17.1 miliardë lekë, duke kaluar dhe nivelin e parapandemisë. Pritet që çelja e sektorit turistik do të mund të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit, paralelisht me procesin e vaksinimit. Gjithashtu, plani i rindërtimit pritet të ketë efekt rritës duke qenë se ndërtimi është sektori me më shumë të ardhura në vend.
Ndërkohë, më herët FMN-ja parashikonte që vendi ynë do të mund të kalonte krizën e pandemisë vetëm në vitin 2022.
Fondi Monetar kishte parashikuar një rënie ekonomike me 7.5%, nga 3.5% që ra realisht. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kishte parashikuar rënie me 9% për Shqipërinë. BERZH parashikonte një ulje kaq të madhe lidhur me të ardhurat që sjell turizmi në Shqipëri, që ishte i kufizuar plotësisht.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka patur rënien më të ulët pas Serbisë, e cila ra me vetëm 1%. Vendi me dëmtimin më të madh në rajon ishte Mali i Zi me 15.2% rënie, si një shtet me të ardhura të konsiderueshme nga sektori turistik. Turizmi ishte më i prekuri gjatë pandemisë dhe shtetet e lidhura ngushtë me të u goditën dyfish.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje