Ekonomi

FMN: Pasojat e Koronavirusit do të ngadalësojnë rritjen ekonomike në Shqipëri

Mbërritja e koronavirusit në Shqipëri dhe masat e marra për ndalimin e jetës së shumë bizneseve, do të ndjehet fort në ekonominë shqiptare.

Kjo është ajo çfarë parashikon FMN për periudhën ekonomike në vazhdim.

 “Shpërthimi i fundit global i koronavirusit (COVID-19) pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike më tej në vitin 2020, dhe kjo tronditje gjithashtu do të godasë turizmin. Shkalla e ngadalësimit është tejet e paqartë në këtë moment”, u shpreh Jan Kees Martin, Shefi i FMN në Tirane.

Ai tha se “Do të jenë të nevojshme edhe politika për të mbrojtur njerëzit gjatë shpërthimit të COVID-19 duke siguruar që sektori shëndetësor të ketë burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur më të prekurit. Politika monetare duhet të jetë ndjeshëm akomoduese për të mbështetur rritjen ekonomike”, nënvizon deklarata duke shtuar se FMN-ja mbetet “e gatshme të vazhdojë dialogun me autoritetet për masat për të ndihmuar në kufizimin e ndikimit ekonomik të virusit”.

Pandemia, e cila ka prekur ekonominë botërore dhe partnerët kryesorë ekonomikë e tregtarë të Shqipërisë, është goditja e dyta pas tërmetit të fuqishëm të Nëntorit.

“Perspektiva e afatshkurtër për ekonominë shqiptare ka ndryshuar dukshëm gjatë tre muajve e gjysmë të kaluar. Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor pritet të dobësojë rritjen në vitin 2020, pasi ndikimi negativ në aktivitetin ekonomik (në veçanti, turizmi) tejkalon ndikimin pozitiv nga përpjekjet e pritshme të rindërtimit. Pas tërmetit, autoritetet shqiptare me të drejtë vendosën t’i japin përparësi shpenzimeve buxhetore, në mbështetjë të ndihmës dhe përpjekjeve për rindërtimin, duke lejuar një rritje të moderuar të deficitit fiskal. Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që projektet e rindërtimit të administrohen në mënyrë transparente, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, dhe të kenë përparësi më të rrezikuarit”- vijon deklarata e FMN-së.

Fondi citon se “pas vitit 2020, pasi të kenë kaluar tronditjet e tanishme negative, autoritetet duhet të ndërtojnë shtytës më të fortë fiskalë, që do të lejojnë një stimul më të madh fiskal për të adresuar goditjet e mundshme në të ardhmen. Prandaj, mbeten kritike, masat për të ulur borxhin publik dhe për të përmirësuar rreziqet fiskale, të propozuara në Deklaratën tonë përmbyllëse të 26 nëntorit 2019”.

Në deklaratë përmendet edhe nisma e qeverisë për amnistinë fiskale. FMN këshillon se kjo nismë duhet të zbatohet me kujdes.

“Ndërsa deri më tani nuk është bërë ndonjë propozim specifik, përvoja në vendet e tjera ka treguar që programe të tilla minojnë respketin ndaj detyrimeve fiskale. Për më tepër, duhet që së pari të krijohen sistemet efektive për të zbuluar evazionin dhe për të parandaluar mundësitë e pastrimit të parave dhe korrupsionit” -thotë FMN në deklaratën e saj.

Kurse Ministria e Financave dhe Ekonomisë nw deklaratwn e saj bwn me dije se gjatë kësaj jave ka përmbyllur diskutimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi Artikullin IV, të cilat u lanë të hapura në Nëntor 2019 për shkak të tërmetit, që goditi Shqipërinë.

Megjithëse diskutimet e kësaj here u zhvilluan nëpërmjet komunikimit online, thonw Financat. ato ishin mjaft efektive dhe të dobishme.

Diskutimet mes dy institucioneve u fokusuan në zhvillimet makroekonomike e fiskale dhe perspektivën e tyre gjatë 2020 dhe në afatin e mesëm, duke faktorizuar tashmë edhe efektet e tërmetit si dhe ato të pandemisë globale të COVID-19.

Mbi parashikimin për rritjen ekonomike të këtij viti, thotw Ministria,  FMN sqaroi pikëpamjen e saj, se ndërkohë që efekti neto i tërmetit në rritjen ekonomike të vitit 2020 pritet të jetë vetëm lehtësisht negativ sipas skenarit bazë të MFE, ai i virusit COVID-19 mund të jetë më i theksuar.

MFE dhe FMN ndanë të njëtin mendim sa i takon paqartësisë ende të lartë të efektit final, që do ketë COVID-19 si në ekonominë globale, ashtu edhe në atë të Shqipërisë.

“FMN mirëpriti si një zhvillim mjaft pozitiv për kredibilitetin e financave publike faktin që, megjithë goditjen që shkaktoi tërmeti gjatë 2019 në financat publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë:

respektoi plotësisht nivelin e deficitit buxhetor të targetuar, prej fillimit në nivelin 1.9%,

mundësoi uljen e borxhit publik me rreth 3.5 pikë përqindje vetëm në harkun kohor të të një viti (sipas përkufizimit të FMN, i cili përfshin të gjitha detyrimet e qeverisë qëndrore dhe asaj vendore).

Gjithashtu, FMN vlerësoi uljen përtej objektivit fillestar të stokut të detyrimeve të rimbursimeve të TVSH (reduktim me rreth 33% vetëm gjatë vitit 2019) dhe rekomandoi Ministrinê e Financave dhe Ekonomisë, që të vijojë me reduktimin total të tyre.”- citon deklarata e Financave.

Ministrja e Financave, Anila Denaj u ndal në përpjeket e Qeverisë për të siguruar rimëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti përmes fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për vitin 2020 dhe fondeve të angazhuara në mbështetje të Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve. Ndër të tjera ajo mirëpriti vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për masat e marra nga MFE në vijim të pasojave të tërmetit.

Ajo theksoi se menaxhimi i fondeve do të shoqërohet me transparencë dhe monitorim të vazhduar të strukturave qendrore, me përfshirjen e donatorëve, duke siguruar zbatim efektiv të procesit të rindertimit.

Programi i Rindërtimit dhe përballimi i nevojave për luftën kundër COVID-19 dhe ecuria e reformave, shoqëruar me masa pë ruajtjen e disiplinës fiskale, do të jenë në krye të axhendës së Qeverisë gjatë vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë