Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, ka folur për mediat mbi akuzat ndaj Bankës së Shqipërisë lidhur me mashtrimin nga mikrokreditë.
Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit në FMN, Julie Kozack, duke theksuar se s’mund të komentojnë një çështje në hetim, theksoi se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, është faktori më i rëndësishëm.
Në mbrojtje të BSH-së, përfaqësuesja e FMN tha se ligji shqiptar, mbështetur dhe nga Fondi e parashikon dhe i jep të drejtë Bankës të menaxhojë kreditë e këqija.
LEXO EDHE:
– Sejko: Kreditë e blera nga MicroCredit do të rikthehen tek bankat tregtare. Dy kompanitë shkojnë në likuidim
– Skandali me mikrokreditë, Sejko jep llogari para Kuvendit: Revokimi i licencës rëndoi situatën. S’ndërhyjmë dot tek përmbarimi
“Shumë prej jush e dinë që ne nuk mund të komentojmë një hetim ligjor që është në zhvillim e sipër. Megjithatë, duam vetëm të sqarojmë një element specifik. Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar. Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme. Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar,” tha Kozack.
Banka e Shqipërisë u përball me akuza të forta, për mosreagim ndaj një skeme mashtruese që kryenin kompanitë e licencuara nga vetë ajo. Duke raportuar në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori Gent Sejko tha se Banka nuk ka kompetencat ligjore për të ndërhyrë në një mashtrim financiar.
Sejko ripërsëriti se pasi një subjekti financiar i revokohet licenca (rasti i MicroCredit) ai nuk është më nën juridiksionin e Bankës së Shqipërisë, pasi kjo është masa më e rëndë që BSH mund të marrë. Guvernatori u shpreh se pas këtij hapi, kreditë janë pjesë e përmbarimit.
“Përmbarimi nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë dhe nuk e ka tagrin të ndalojë ekzekutimet përmbarimore. Ankandi, sekuestrimi etj është jashtë kompetencës së BSH-së. Në regjistrin e MCA janë rreth 16 mijë kredimarrës dhe 90% prej tyre janë në një proces përmbarimor”, tregoi Guvernatori Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



