Ekonomi

FMN: Kosova shteti më i varfër në rajon, ndiqet nga Shqipëria

Në renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfri për 2022-in Kosova është shteti më i varfër në rajon i ndjekur nga Shqipëria.

Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.

Të dhënat për këtë vit tregojnë se Kosova renditet në vendin e 105-të në botë me 13.964 dollarë të ardhura për kokë banori ndërsa Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17.383 dollarë.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Renditet në vend të 69-të në botë me 24.878 dollarë.

Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditura përkatësisht në vend të 72 dhe 78.

Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17.471 dollarë për frymë.

Vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140.694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari.

Ndërsa listimi i tyre sipas PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerë tregon se në fund të listës janë vende si Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.

Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë