Flutura Açka është një tjetër funksionar në PD që jep dorëheqjen pas Agron Gjekmarkajt duke pranuar të jetë deputetë e thjeshtë. Ajo është anëtare e Kryesisë së PD-së dhe kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit.
“…Ka shumë demokratë dhe qytetarë që anojnë nga e djathta që nuk votuan më 6 mars nga trishtimi ndaj gjendjes aktuale të PD-së, të tjerë që refuzuan të votojnë Berishën, të tjerë që nuk kanë besim te Lulzim Basha. Këta do të bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e afërta që kemi vitin e ardhshëm…”, shkruan Açka
“Dita e djeshme është një ditë e trishtueshme për çdo demokrat dhe ai demokrat që mendon se ka fituar, nuk ështe veçse një i pacipë. Po, për fatin e mirë në Shkodër ka fituar një demokrat, dhe ka fituar ai për të mirën e Shkodrës dhe jo Sali Berisha, siç po e shesin.
Fakti që ne të gjithë bashkë, përfshirë edhe LSI-në, dhe ca të tjerë, nuk e tejkalojmë mavinë, do të thotë që jemi të gjithë humbës. Por ata, të cilët e sajuan këtë përplasje me kushtin e vetëm të asgjësojnë Lulzim Bashën, duken shumë të lumtur sot. Me, ose pa Lulzim Bashën, me ose pa Sali Berishën, PD është sot në ditën e saj më të zezë.
Dhe fajin për këtë gjendje e kanë të dy liderët, madje, në syrin tim, fajin më të madh e ka Sali Berisha:
Sepse Lulzim Basha është produkt i tij, i cili, kur iu desh na e shiti për ‘burrë të mirë’ dhe kur nuk iu desh për na e shiti për ‘burrë të keq”, shkruan Açka.
Duke atakuar kryesisht qëndrimet e Berishës gjatë fushatës, Açka nënvizon se, “në kushtet e krijuara brenda PD-së dhe shkatërrimit të lidhjeve me bazën, të riformatimit të strukturave të PD-së në bazë, të cilat janë në lëngim e sipër dhe të humbjes së popullaritetit të tij mes demokratëve dhe shqiptarëve me vokacion të djathtë, Basha duhet ta japë dorëheqjen”
“Por ka vetëm një kusht për ta bërë këtë: Të tërhiqen të dy, edhe Lulzim Basha, edhe Sali Berisha dhe PD-së t’i hapet rruga për zgjedhje të vërteta dhe rikthimin e saj në forcë e përbashkuar opozitare.
A e bëjnë dot këta të dy këtë? A e duan ata PD-në më shumë se veten e tyre?
Kësaj pyetjeje le t’i japin përgjigje me koshiencën e tyre, pse jo edhe me akte të larta përgjëgjësie politike ata vetë. Fundja, këtu ndahen burrat nga burrecët e shtetit.
Nëse nuk ikën Sali Berisha, nuk ka asnjë arsye të ikë Lulzim Basha…”, shkruan ajo ndër radhë, duke nënvizuar më pas se jep dorëheqjen nga funksionet partiake
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.