Shendet

Fluks rastesh në QSUT, alergjitë në rritje, shkak ndotja e ajrit dhe ngrohja globale

Nga Gazeta Si- Sezoni i pranverës shënon pikun e rasteve me alergji, ku pacientët kronikë, kryesisht moshat pediatrike janë më të prekurat.

Imunologia klinike Juljana Asllani, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se prevalenca e sëmundjeve alergjike ka një trend në rritje në të gjithë globin sidomos në vendet e industrializuara.

“Aktualisht jemi në stinën e pranverës që shënon edhe pikun e alergjive sezonale dhe rastet që paraqiten më shpesh tek mjekët alergologë në këtë periudhë të vitit janë rinitet alergjike sezonale dhe astmat nga polenet e pemëve, barërave apo shkurreve.

Grupmoshat më shpesh të prekura janë moshat pediatrike ku edhe frekuenca e alergjive respiratore është më e lartë”, thotë alergologia Asllani.

Imunologia klinike Juljana Asllani. Gazeta Si, prill, 2025.

Sipas saj, alergjia ka prekur dhe moshat e rritura ku shenjat më të shpeshta janë riniti apo astma të shoqëruara me  teshtima, bllokim apo rrjedhje te hundëve, lotim, kruarje dhe skuqje te syve ose kollë, vështirësi në frymëmarrje si edhe fishkëllima në kraharor.

“Përsëritja e këtyre simptomave në periudha të caktuara përgjatë vitit duhet të na bëjnë të dyshojmë që kemi të bëjmë me alergji respiratore sezonale.

Pasja e një historie familjare për sëmundje alergjike është gjithashtu një faktor shtesë risku që duhet të na bëjë të drejtohemi tek alergologu.

Alergologia Asllani thotë për Gazetasi.al se ndikimi i ngrohjes globale si dhe ndotja e ajrit kanë ndikuar në rritjen e frekuencës dhe rëndesës së alergjive respiratore.

Studime të shumta në këtë fushë kanë treguar se ngrohja globale ka ndikuar në zgjatjen e sezoneve polenike sikundër edhe çlirimi i shtuar në ajër i substancave kimike si CO2 apo të tjera ndikojnë duke rritur alergenicitetin e poleneve dhe duke ndikuar kësisoj edhe në agresivitetin e simptomave të alergjisë.

Po a trajtohen alergjitë?

Mjekët specialistë thonë se linjat kryesore të trajtimit dhe menaxhimit të alergjive respiratore janë 3.

Së pari është edukimi i pacientit për të evituar ekspozimin ndaj alergenit (p.sh. poleneve).

Së dyti trajtimi simptomatik me medikamente sipas përshkrimit të alergologut.

Së treti është imunoterapia alergjenë specifike në menaxhimin afatgjatë pasi bën të mundur modifikimin e dekursit të alergjive respiratore.

Imunoterapia ka një sërë benefitesh për pacientin alergjik siç janë: pakësimi i simptomave nën ekspozim ndaj alergenit, pakësim i nevojës për mjekim me medikamente si edhe parandalim i shfaqjes së astmës bronkiale dhe i shtimit të sensibilizimit ndaj alergeneve të tjerë.

“Rëndësi të veçantë ka edhe ndërgjegjësimi i popullatës për frekuencën gjithnjë e në rritje të sëmundjeve alergjike si edhe të drejtohen tek mjekët specialistë alergologë për problemet alergjike sa më herët në mënyrë që edhe të trajtohen dhe të parandalohen ndërlikimet”, thonë mjekët alergologë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë