Politike

Florjon Mima u përgjigjet kritikëve: Pse programi i PD-së është i zbatueshëm…

Qysh prej prezantimit të programit ekonomik të PD-së, nga Lulzim Basha, shumë ekspertë të ekonomisë, por edhe më gjerë, kanë ngritur pyetjen thelbësore; Sa është fatura dhe ku do t’i gjejnë paratë…

A ka ky program një sens logjik në propozime, a i përshtatet në përmbajtje kohës që po jetojmë, a është ai një program utopik, apo i mundshëm për tu realizuar…?

Për të gjitha sa më sipër, por edhe më shumë, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë në PD dhe bashkëhartues i programit, Florjon Mima, jep përgjigjet e tij në një intervistë për gazeta “Si” (www.gazetasi.al)

Z.Mima, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shpalosur një program ambicioz, nga rritje pagash e pensionesh,  tekste shkollore falas, zerim të tarifave të studimit, ulje të çmimit të energjisë, rritje e pagës minimale e deri tek  dyfishimi i të ardhurave për frymë… Ju e keni bërë publike faturën e këtij programi rreth 500 mln euro (edhe pse ekspertë të tjerë të ekonomisë e nxjerrin me shumë). Pyetja është se me çfarë parash do ta realizoni këtë program kur borxhi publik ka kërcyer mbi 82% e ku gjashtëmujori i parë i këtij viti parashikon një periudhë të zymtë për rritjen ekonomike si pasojë e pandemisë? 

Së pari, faleminderit për mundësinë e komunikimit me lexuesit tuaj, për të sqaruar sadopak gjithçka nuk u tha gjatë prezantimit të programit. Më lini të theksoj se ju jeni duke ndjekur prezantimin e moduleve të veçanta të programit si arsimi, shëndetësia, bujqësia, rinia, financat publike, klima e të bërit biznes, reforma rregullatore etj etj.

Tërësia e të gjitha këtyre moduleve do të përbëjë atë që quhet programi politik i cili nuk është gjë tjetër veçse kontrata që PD u propozon shqiptarëve për 4 vitet e ardhshme. Ju me të drejtë shtruat pyetjen se ku do të gjenden paratë për atë që ju e quani program ambicioz.

Unë mendoj se programi nuk është ambicioz në kuptimin që e rrok ambicia fluturake por jo, logjika. Po ashtu, unë mendoj se programi nuk është as konservator. Ai ka sens realizmi dhe merr parasysh situatën e rëndë ku ndodhet vendi, për shkak të tërmetit, të pandemisë por sidomos të keqqeverisjes 8 vjeçare të Rilindjes.

Sa i përket parave për të financuar angazhimet elektorale, mjafton të rikthehemi në 8-vjeçarin pararendës të këtij ekzistuesit. Kemi shumë pikëprerje të përbashkëta. Taksat u ulën, u prezantua taksa e sheshtë 10% në vend të progresives me shkallë marxhinale 25% dhe megjithatë të hyrat publike jo vetëm nuk ranë, por u rritën dhe çdo vit kishte një buxhet shtesë që miratohej në mesviti; me taksat e ulura u financuan mbi 10 mijë km rrugë, me qindra shkolla, me qindra ujësjellës, u dyfishuan pagat, u dyfishuan pensionet dhe për të ardhur te pyetja juaj, pothuaj u dyfishua PBB/frymë nga rreth 2500$ në rreth 4500$. Me siguri edhe ky tregues mund të ishte realizuar nëse nuk do të ndesheshim me një nga krizat botërore ekonomiko-financiare më të egra që njerëzimi ka njohur. Pra, për ta përmbledhur, paratë janë aty, mjafton vullneti politik për t’i përdorur ato për të mirën e shqiptarëve.

Gjithashtu, ne besojmë fort se entuziazmi, energjia dhe optimizmi i individëve dhe sipërmarrjes shqiptare, të çliruara nga një shtet që u merr frymën, do fillojnë të prodhojnë të ardhura shtesë për veten, por edhe për arkën e përbashkët.

Post 25 Prilli do të përkojë me siguri me vijimin e një sfide të madhe; asaj kundër pandemisë… Basha nuk u ndal gjatë shpalosjes së programit në këtë pikë, por më herët ka premtuar 1000 euro çek ndihme për çdo biznes të vogël, 2 mijë lekë të reja çdo muaj për pensionistët, dhe rimbursim të plotë të mjekimit anti-Covid… Sa është konkretisht zëri që PD-ja ka planifikuar për pandeminë dhe a është e mundshme për tu realizuar ku psh nga njëra anë propozohet 2 mijë lekë për çdo pensionist çdo muaj gjatë pandemisë (që nuk i dihet sa zgjat) dhe në anën tjetër premtoni rritjen deri në 5% të pensioneve çdo vit?

Rotacioni do të ndodhë dhe për këtë sot janë të bindur i madh e i vogël. Viti 2021 ka një buxhet të miratuar dhe sigurisht edhe zëra të caktuar për të adresuar pasojat e tërmetit dhe pandemisë.

Ne kemi konstatuar se fatkeqësisht jemi vendi me mbështetjen më të ulët buxhetore për pandeminë. Ndërkohë që paratë e marra borxh kanë shkuar me bollëk për klientët e Rilindjes ato pothuaj mungojnë për shtresat në nevojë, pensionistët, të papunët, të vetëpunësuarit etj. Vetëm rreth 1% e PBB është alokuar tashmë dhe kjo nuk na bën nder pasi taksat e paguara nga shqiptarët duhet të shkojnë për të gjithë shqiptarët që e kanë të vështirë të sigurojnë mbijetesën e jo veç për një grusht miqsh e shokësh.

Të gjitha masat që ne kemi propozuar janë trajtuar në një paketë të mëparshme dhe me shumë pak ndryshime, kuptohet vetëm për të shtuar masën e mbështetjes, ajo do të vihet në jetë. Financimi i saj nuk do të jetë problem me rialokimet e buxhetit ekzistues dhe me rishikimet e tij në gjysmën e dytë të vitit.

Të gjitha masat e propozuara do të kenë efekt rigjenerues për ekonominë e vendit dhe një ekonomi e çliruar nga kamxhiku i shtetit, nga monopolet mbytëse dhe nga skemat kriminale të pastrimit të parave të krimit, do të fillojë menjëherë të prodhojë efekte pozitive në drejtim të mbushjes së arkës së përbashkët.

Kemi thënë se pensionet do të rriten jo më pak se 5% por si rregull ato do të rriten me dyfishin e normës së inflacionit duke kompensuar edhe rritjet e munguara gjatë këtij 8 vjeçari madje edhe indeksimet që janë detyrim ligjor.

Keni premtuar uljen e normës së sigurimeve shoqërore nga 24.5% që është aktualisht në 18% ndërkohë që premtoni rritje të pensioneve. A duket kontradiktore si premtim duke u nisur nga fakti se pensionet mbahen kryesisht nga kontributet?

Fondet për përballimin e pensioneve si rregull do të duhej të vinin nga kontributet e të siguruarve. Por realiteti tregon se rreth gjysma e nevojave përballohet nga buxheti i shtetit qoftë si kontribut për skemat e veçanta, ashtu edhe si subvencion për diferencën mes shpenzimeve e të ardhurave. Ulja e kontributeve ka si synim kryesor lehtësimin e kostove të punëdhënësve në mënyrë që ata të rrisin rrogat e punonjësve ekzistues apo edhe të rekrutojnë fuqi punëtore shtesë, por edhe uljen e kostove të punëmarrësve në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë përballimin e shpenzimeve shtesë që vijnë nga shtrenjtimi i kostos së jetesës, nga pandemia etj.

Ndërsa rritja e pensioneve do të duhet të ndodhë pavarësisht uljes së kontributeve, pasi kemi 8 vite që pensionet as nuk janë indeksuar çka do të thotë se pensioni real është ulur për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të mallrave e shërbimeve.

Kemi një pension mesatar në kufijtë e 16 mijë lekë në muaj, totalisht i pamjaftueshëm për të përballuar faturat e ilaçeve, energjisë, ujit, ushqimeve bazike etj. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo mangësi e vetë skemës, pra që ajo nuk vetëmbahet dot me këtë strukturë të forcave të punës dhe me këtë jetëgjatësi mesatare, Rilindja e përkeqësoi këtë  duke hequr kufirin e sipërm të pensioneve çka praktikisht zhduku edhe atë element solidariteti që ekzistonte mes kontribuesve me të ardhura të larta dhe pensioneve që ata do të përfitonin me maksimumi dy pensione minimale. Sot kemi pensione më të larta se disa paga në sektorin publik dhe kjo e ka rrënuar shpirtin solidar të skemës.

Keni premtuar dyfishim të ardhurave për frymë, por  vendi nuk i është afruar plotësisht këtij synimi për tre dekada me radhë… Ju vetë jeni shprehur se kjo mund të arrihet pas dy mandatesh. A do të ishte më mirë që disa premtime më pak të besueshme (për kohën e sotme) t’i linit në një kohë tjetër dhe sa parashikoni ju të jetë rritja ekonomike për të shkuar tek sfida për dyfishim të ardhurash për fryme sepse nga eksperienca e deritashme ky duket si premtim utopik?

E përmenda pak me lart se gjatë 2005-2013 PBB/frymë gati u dyfishua dhe, edhe mund të dyfishohej nëse nuk do të kishte shpërthyer kriza globale financiare. Me supozimin që emëruesi, pra popullsia e vendit, nuk ka ndryshuar, i bie që i gjithë ndryshimi ka ndodhur në numërues pra tek PBB. Unë besoj se përveç konsumit, si komponent i PBB, ndikim të madh ka pasur rritja e investimeve dhe e eksportit.

Të tre këta komponentë të PBB u rriten falë politikave të uljes së taksave, të lehtësimit të aksesit në treg, heqjen e qindra lejeve, licencave, autorizimeve, reduktimin e inspektimeve, luftën ndaj korrupsionit, prezantimin e deklarimit dhe pagesës elektronike të taksave, zhdukjen e kontakteve fizike mes tatimpaguesve e inspektorëve etj. Shihni PBB/fryme në këto 8 vitet e Rilindjes. Vetëm 400$ rritje në 8 vite. Kjo është e frikshme. Sigurisht ka rol edhe pandemia, por ky nuk është justifikim. Ferra e kishte marre uratën përpara pandemisë. Shihni borxhin publik, nëse PPP kontabilizohen sipas praktikës më të mirë evropiane dhe botërore, ai shkon në 96-97% e PBB duke u kthyer kështu në gurin më të rëndë në qafën e shqiptarëve për dekadat që vijnë.

Keni propozuar rikthimin e taksës së sheshtë 9% duke ruajtur fashën e pataksuar 300 mijë lekë. Nisur nga ky fakt a është edhe kjo një formë (e fshehur) e aplikimit të taksës progresive edhe nga ju? Cilat janë avantazhet e taksës së sheshtë krahasuar mbi taksën progresive? Po disavantazhet?

Në rajonin tonë kjo lëvizje është e detyrueshme, jetojmë në një rajon të taksës së sheshtë në këto nivele, 9-10% dhe Shqipëria ka humbur konkurueshmërinë e saj edhe për shkak të niveleve dukshëm më të larta të taksimit të individëve dhe korporatave. Taksa e sheshtë në vetvete, nuk është se është magjike, por ajo ka sjellë një reaksion zinxhir të  mahnitshëm në përmirësimin e sjelljes dhe përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, si në drejtim të deklarimit më realist të bazës së tatueshme, ashtu edhe të numrit të punonjësve, pagave reale të tyre etj.

Ajo është e thjeshtë dhe pa shumë rregulla të komplikuara kontabël si për tatimpaguesit ashtu edhe për administratën tatimore. Taksa progresive nga ana tjetër, ndonëse e paqortueshme si moral, pra që ai që fiton më shumë të kontribuojë më shumë, në praktikë ka treguar se është kthyer në gjenerator të falsifikimit të të dhënave, ka nxitur gënjeshtrën dhe mashtrimin, pasi nxitësat për gënjeshtër e mashtrim janë aty, ti e bën këtë për të përfituar një trajtim me një shkallë më të ulët, më të favorshme.

A favorizon taksa e sheshtë bizneset e mëdha siç po argumentojnë me shifra ekspertë ekonomie të mazhorancës, por edhe jashtë saj? Nëse jo, ku bazoheni?

Shqetësimi se me taksën e sheshtë favorizohen me shumë individët e pasur dhe korporatat e mëdha është demagogjik dhe bëhet vetëm për të spërkatur me smirë e xhelozi një ideologji klasore të dalë bojë. Po çfarë bën një individ me të ardhura të larta apo një korporate me kursimet nga pagimi i më pak taksave? Ose do t’i investojë çka krijon më shumë të ardhura në ekonomi; ose do t’i konsumojë duke ndihmuar konsumin e si rrjedhim duke ndihmuar rritjen ekonomike; ose do t’i kursejë duke vënë bankën në rolin e investuesit të parave të kursyera. Pra, në çdo mundësi, taksat që do të kursejnë individët e pasur dhe korporatat vetëm do të ndihmojnë rritjen ekonomike.

Keni propozuar gjithashtu një tavan, që totali i taksave lokale e qendrore mbi biznesin e vogël, të jetë jo më shumë se 0.5% tatim mbi xhiron.  Çfarë rruge do të ndiqni për ta realizuar? Do të ndryshoni ligjin? Sepse me këtë propozim ju cenoni autonominë vendore duke i grupuar në “një” taksat lokale (që vendos pushteti vendor) me ato qendrore…?

Jo vetëm nuk do të cenohet autonomia vendore, por ajo do të konsolidohet më shumë me të hyra që vijnë nga taksa e biznesit të vogël, tatimi i pasurisë, renta e republikës dhe një sërë tarifash që do të vilen për të mbuluar kostot e shërbimeve të ofruara.

Sigurisht, nuk mundet që pushteti vendor të prezantojë taksa, të ashtuquajtura të përkohshme, të posaçme apo tarifa që janë më shumë sesa taksa. Ne kemi një parim kushtetues, që tatimet e taksat vendosen me ligj dhe këtij parimi i është ardhur rrotull me taksa për infrastrukturë arsimore, për ndikim në infrastrukturë, për ‘dhurimin’ e apartamenteve nga ndërtuesit etj. Skema që ne propozojmë rrit e konsolidon financat lokale nga burime të ligjshme dhe njëkohësisht i pamundëson bashkive të sjellin vërdallë ligjin e Kushtetutën duke futur dorën pa ligj në xhepin e qytetarëve.

Më mirë 3 mijë lekë të reja çdo muaj për bebe për 5 vjet apo 1000 euro fond investimi për çdo bebe sipas propozimit të LSI? (E them këtë sepse kjo është një nga pikat e panegociueshme të LSI-së në raport me PD ashtu si edhe dy propozimet e tjera për rimbursim 5% të vlerës për çdo blerje nga qytetari dhe 1% taksa e të ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha)

Nuk e kam parë programin e LSI por ajo që mund të them është se, nëse janë 2, 3 apo 4 programe në fushën e lojës, ky është një lajm i mirë për vendin. E çuditshme, cinike dhe aspak e ndershme është që partia në qeverisje as nuk ka e as nuk denjon të hedhë zotimet në letër. Dhe të mendosh se me timon, tepsi e kusi në dorë kane filluar të trokasin derë më derë për t’u shpjeguar njerëzve sesa mirë kanë qeverisur. Programi i PD është përgatitur nga ekspertët më të mirë të fushës dhe, po, sigurisht që besoj tek zotimet e PD, besoj te lideri i PD, besoj te ekipi i PD.

Shqetësimi juaj sigurisht do të adresohet në momentet e ravijëzimit të koalicionit qeverisës, por sot mund të them se PD do të jetë gjithmonë në krahun e të mirës së qytetarëve, të shtetit dhe të ligjit që u shërbejnë qytetarëve. Me këto parime në mendje e zemër do të negociohet.

Nëse do t’i hedhim një sy të përgjithshëm programit ekonomik që ju prezantuat, ajo nuk dallon në thelb nga ajo e programit që ju keni shpalosur 4 vite më parë. Pse qytetarët duhet t’ju besojnë juve kësaj here?

Ka ndryshime të diktuara nga koha, nga zhvillimi social, ekonomik, teknologjik etj. Por siç me të drejtë konstatoni palca e shtyllës kurrizore mbetet e njëjtë: shtet i vogël me duar të shkurtra, shtet shërbëtor i tatimpaguesit sipërmarrës, i cili ngjitet në piedestal, me shumë para për individin e sipërmarrjen, më pak procedura, më pak rregulla burokratike, më pak kontakt fizik mes palëve, legjislacion më i thjeshtë e më i parashikueshëm, më pak trupa administrative dhe më pak diskrecion për të marrë nëpër këmbë qytetarin a sipërmarrësin.

Partitë e djathta e kanë tipar të përbashkët mbështetjen me më shumë liri të individit, sipërmarrjes, familjes, ashtu siç besojnë fort në një shtet shërbëtor e duarshkurtër.   

Cilat janë ato pika të programit ekonomik, që mund të realizohen të parat, nëse vini në pushtet? (Marr shkas nga një premtim i Lulzim Bashës për 110 mijë vende të reja të punës, pas 25 Prillit… Rama fitoi zgjedhjet e 2013-ës me premtimin për 300 mijë vende të reja pune dhe nuk e realizoi dot as pas 8 viteve pushtet)

Besoj se nga reformat e aksionet e para do të jenë: taksimi i biznesit të vogël, rritja e ndihmës ekonomike dhe e pensioneve, heqja e taksës së qarkullimit, reformimi i çmimit të energjisë etj. Dora dorës do të vijohet me të gjitha zotimet e tjera.

Intervistoi: Nevila Perndoj  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë