Ngjarje

Florian Marku del nga qelia… Familjarët tregojnë se ishte ‘një histori e pakuptimtë që nuk mbaron!’


Nga Gazeta Si- Më 9 dhjetor, sapo Florian Marku ka mbërritur në kufirin Gjerman nga Anglia, për një vizitë private, policia e ka ndaluar në bazë të një urdhër arresti që vinte nga shteti grek, kur kërkohej ndalimi i boksierit shqiptarë.

Që nga ai moment, “pushimet” e Markut kaluan në një burg të Gjermanisë ku qëndroi për rreth 20 ditë. Gazetasi.al ka kontaktuar me familjarët e tij të cilët i kanë sqaruar të gjithë këtë ngjarje.

“Ishte një urdhër arresti i pakuptimtë, pasi nuk ishte i qartë as për policinë dhe Gjykatën Gjermane. Që nga momenti i ndalimit u kërkua dokumentacioni i nevojshëm për të kuptuar arsyen e vërtetë, por në këto 20 ditë që Floriani qëndroi në qeli nuk erdhi asgjë. Si rrjedhojë, mëngjesin e djeshëm, më 27 dhjetor, ai u lirua nga Gjykata e Dyseldorfit”, thotë një nga familjarët e tij ekskluzivisht për Gazetasi.al.

“Ndoshta bëhet fjalë për ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2010-të ku Floriani u përfshi në mbrojtje të shokëve të tij në një sherr me disa rus ku pati edhe të lënduar”, vazhdon i njëjti burim.

“Por për atë ngjarje ai ka kryer 1.5 vite burg dhe në atë kohë gjithçka quhej e mbyllur.”

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2010-të në Selanik ku në disa raste ka folur edhe vetë Marku për këtë çështje duke e konsideruar të mbyllur, pasi ngjarja e treguar nga boksieri shqiptar lidhej me një sherr në një pub në Selanik ku ishte përfshirë për të mbrojtur shokët që përlesheshin me disa shtetas rus, por sipas palës greke akuzat ndaj tij rëndojnë për plagosje dhe armabajtje pa leje.

Gjithsesi për momentin Florian Marku do të vazhdojë të qëndrojë në Gjermani për të vazhduar planet e tij personale që kishte nisur përpara se të mbyllej në qeli 20 ditë më parë, ndërkohë që avokati i tij do të merret me çështjen për të zgjidhur sa më shpejt.

Sa i përket karrierës së tij sportive e cila është dëmtuar në imazh jo pak me këtë ngjarje, vlen të theksohet se me trasferimin në Angli emri i tij mori tjetër përmasa edhe në sajë të ndryshimit të sportit nga MMA (arte marciale) në boks ku arriti të korr disa suksese dhe të ngjis menjëherë shkallët në renditjen botërore duke fituar edhe breza të ndryshëm në këtë sport, por edhe nderime qeveritare nga Kryeministri i vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë