Del gjithmonë diçka që e pengon Florian Kamberin të luajë me fanellën e Kombëtares. Këtë herë është Koronavirusi që nuk e lejon atë të grumbullohet nga trajneri Edi Reja për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.
Klubi i St.Galenit në Zvicër ka bërë të ditur në faqen zyrtare se Kamberi ka rezultuar pozitiv pas tamponëve të fundit. Sulmuesi 25-vjeçar është izoluar në shtëpi, sipas rregullores, ndërkohë që mungesa e tij për ndeshjet e 15 dhe 18 nëntorit është e sigurt. Kamberi ka munguar në disa ndeshje për shkak të procedurave me dokumentacionin dhe për shkak të rregullave në kohën e pandemisë. Tani pritjen e këtij futbollisti për të luajtur me fanellën kuqezi e zgjat Koronavirusi.
Situata para dy ndeshjeve të fundit në grup të Ligës ë kombeve është shqetësuese për trajnerin italian të Kombëtares, pasi mungesat po shtohen dita-ditës. Nga Covid-19 është infektuar disa ditë më parë edhe Myrto Uzuni, kurse Bare, Dermaku dhe Roshi janë të dëmtuar. Ramadani dhe Gjasula nuk lejohen nga klubet e tyre të grumbullohen nga Kombëtarja dhe deri sa trajneri Reja të shpallë listën zyrtare, me siguri lista e mungesave do të jetë më e gjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.