Nga Gazeta Si - Teatri Metropol vjen me premierën më të re me titull “FLI”, një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, e sjellë nga regjisori Enton Kaca.
Kjo vepër, premiera e së cilës është këtë të enjte dhe do të vijojë edhe në datat 29, 30 prill, 1, 11, 12, 13, 14, 15 maj, është një nga më të njohurat e Euripidit (një nga tragjedianët më të mëdhenj grekë) që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetëmohim në skenat kryesore të tragjedisë.
“A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A ‘sakrifikohet’ familja për karrierën personale?! A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes ‘FLI’, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore”, thuhet në njoftimin e Teatrit Metropol.
Regjisori Enton Kaca shprehet se drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve.
“Drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë”, shpjegon regjisori Enton Kaca.
Ngjarjet e veprës
Gjithçka nis kur ushtria greke është mbledhur në portin e Aulidës. Por nisja për luftë vonon në mënyrë të pashpjegueshme. Agamemnoni, komandant i kësaj ushtrie mëson që nisja do të bëhet e mundur vetëm nëse vajza e tij, Ifigjenia, flijohet. Agamemnoni ndërton një skemë që ta bindë gruan ta dërgojë vajzën dhe ndërsa pret ndërron mendje. Ifigjenia vjen në kamp, dhe plani i Agamemnonit zbulohet. Ushtria greke krijon presion dhe në fund Agamemnoni dorëzohet. Ifigjenia kur shikon se nuk ka asnjë shpresë merr vendimin për të shkuar drejt altarit për t’u bërë fli.
Rolet në vepër interpretohen nga Amri Hasanlliu, Bujar Hoxhaj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Ismail Shino, Klodjana Keco, Lindar Kaja, Margent Caushi, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sedmir Memia, Stivi Osmanaj, Vanesa Guri, Xhino Musollari, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.