Ne rrjet

Fletëarrest për Grubin / BDI: Propozuam ligj për mos futjen e non gratave në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot

Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Demokratik për Integrim u është përgjigjur akuzave në drejtim të tij pasi ish-zv.kryeministri Artan Grubi u shpall në kërkim ndërkombëtar për t’u arrestuar dhe futjes së tij në listën e zezë amerikane non grata.

Në një deklaratë në Facebook, BDI thotë se ata që e akuzojnë sot, bllokuan një propozim të tyre kur ato ishin në qeverinë e përkohshme deri në maj të këtij viti, i cili parashikonte ndalimin e individëve të shpallur non-grata për pjesëmarrje në zgjedhje dhe proceset e prokurimit publik.

BDI ndërsa shkruan se ka qenë e angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë, thotë se disa aktorë politikë po e shfrytëzojnë situatën për përfitime politike të momenti.

“Pikërisht për këtë arsye, gjatë pjesëmarjes sonë në qeveri deri në maj të këtij viti, ministrat tanë propozuan një ligj progresiv që vendoste kufizime të rrepta ndaj individëve të shpallur në “listën e zezë” të SHBA-së për korrupsion.

Ky ligj synonte të ndalonte këta individë të merrnin pjesë në zgjedhje dhe në proceset e prokurimit publik – një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe besimit publik.

Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë sjellë një valë sulmesh politike ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku disa aktorë politikë po përpiqen të shfrytëzojnë situatën për përfitime të tyre. Është e rëndësishme të qartësojmë të vërtetën me transparencë dhe vendosmëri.

Pavarësisht këtij angazhimi të qartë për llogaridhënie, propozimi i ligjit u bllokua në Kuvend nga VMRO-DPMNE dhe VLEN. Pikërisht këta aktorë janë sot në krye të sulmeve ndaj BDI-së, duke na akuzuar për mangësi në fushat ku ne kemi qenë të parët që kemi propozuar reforma konkrete.

Kjo hipokrizi është e dukshme: ata që penguan miratimin e masave më të rrepta janë të njëjtët që sot pretendojnë të kenë epërsi morale”, shkruan BDI.

BDI gjithashtu thekson se refuzon fushatat politike të motivuara nga standarde të dyfishta.

“E kaluara jonë flet vetë: ndërsa të tjerët kanë zgjedhur të pengojnë reformat, ne kemi qenë iniciatorë dhe mbrojtës të tyre.

BDI-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e reformave, forcimin e llogaridhënies dhe vazhdimin e përpjekjes për një shoqëri të begatë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë