Gazeta Si - Mjeku i Gert Shehut, autorit të sulmit fizik ndaj Sali Berishës në protestën e 6 dhjetorit, ka pohuar se i riu ishte pacient i tij, pasi vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Sadik Lala, thotë së 31-vjeçari nuk merrte mjekim rregullisht. Ai shprehet se disa nga simptomat e sëmundjes së psikozës, nga e cila vuan Shehu, janë deluzionet, halucinacionet dhe çrregullim i sjelljes.
“Ai ka qenë me mjekim. Nuk merrte mjekim rregullisht. Ne, ndryshe nga mjekësia e përgjithshme kemi një rubrikë të posaçme (ESM), ekzaminimi i statusit mendor që është standard në të gjithë botën. Historiku i sëmundjes së kaluar në një pacient kur ne bëjmë një raport të caktuar nuk ndryshon, - thotë Lala për “Euronews Albania”. - Ekzaminimi i statusit mendor, bën pikërisht këtë gjë, si është perceptimi, të menduarit, sjellja, mendimet nëse ka apo nuk ka deluzione. Thelbi i psikozës, minimumi janë dy nga tre simptomat e mëposhtme deluzionet, besimet e gabuara, halucinacionet dhe ajo që është më e rëndësishmja, çrregullim i sjelljes”, theksoi ai.
Lala është mjeku që ka ndjekur rastin prej viti 2018, kur pacienti kishte shfaqur probleme mendore. Në një postim në FB, mjeku u shpreh se për pacientin e tij Gert Shehu, ka lëshuar një dokument me kërkesë të policisë.
Sipas tij, dokumenti që u publikua në media dhe që tregonte epikrizën e pacientit, duhet të qëndrojë në polici dhe një kopje iu jepet familjarëve.
"Ky vërtetim është një dokument autentik i lëshuar nga unë, i cili ka numër regjistri, datë, firmë, vulë time personale dhe vulën e klinikës. Në fund dokumentit (vërtetimit) citohet fjalë për fjalë: 'Lutemi mos hezitoni të kontaktoni nëse kërkohen të dhëna më të hollësishme'. Ky koment nënkupton detyrimin të japim të dhëna të detajuara VETËM për institucionet e përcaktuara me ligj. Arsyeja përse në këtë dokument nuk është përcaktuar diagnoza, është sepse kam detyrimin ligjor të sanksionuar në ligji për të drejtat e pacientit, për të mos bërë publike të dhëna konfidenciale të pacientit", - shkruan Sadik Lala.
Sipas burimeve paraprake, Sadik Lala është marrë në pyetje nga policia në lidhje me çështjen sa i takon mjekimit të 31-vjeçarit.
Ndërkohë, 31-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit në spital këtë të mërkurë.
Sipas bluzave të bardha, Gert Shehu ka pasur dëmtime në kokë dhe për këtë arsye duhet të vijojë dhe për pak kohë mjekimin në ambientet e spitalit.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, është marrë në pyetje dhe nëna e autorit, e cila ka shpjeguar kushtet shëndetësore dhe mendore në të cilat ndodhej djali i saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.