Futboll

Flamurtari “politik” shkatërron Luftëtarin, Partizani merr 3 pikë të arta

Flamurtari ka shënuar goleadën e parë të këtij sezoni në Kategorinë Superiore, duke mundur me rezultatin e thellë 6-1 Luftëtarin në Vlorë. Ndeshja duhet të kishte nisur në orën 17:00, por nisi 15 minuta me vonesë për shkak të një banderole të vendosur në shkallët e stadiumit, ku shkruhej: “Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty”. Ky shkrim është cilësuar si politik nga zyrtarët e ndeshjes dhe kanë vonuar ndeshjen, deri në largimin e banderolës nga stadiumi.

Ky takim shërben më shumë për formalitet pasi vlonjatët dhe gjirokastritët kanë rënë zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Ka qenë një ndeshje e fituar me lehtësi nga skuadra e Troisit, e cila ka shfrytëzuar çdo pasiguri të skuadrës mike për të dërguar topin në rrjetë. Golat e shpejtë të Ribaj dhe Ramos që në pjesën e parë ia thjeshtësuan punën ekipit vendas, ndërsa më pas ishte Hoxhaj, që frenoi euforinë e gjirokastritëve të cilët po provonin të kthenin fatet e ndeshjes. Luftëtari filloi me shumë vrull edhe pjesën e dytë, por dy gola të shpejtë nga Hoxhaj, dhe një tjetër nga Ribaj, vulosën suksesin e thellë 6-1 të skuadrës vlonjate. Goli i vetëm për skuadrën mike u realizua nga Oshafi, në minutën e 58-tw.

https://streamable.com/mmsiyo

Në ndeshjen tjetër, Partizani ka mposhtur Laçin me rezultatin 1-0, në sfidën e zhvilluar “Air Albania”, falë golit të Eraldo Çinari në minutën e 11-të. Një fitore e merituar për të kuqtë, të cilët ishin dominues në pjesën më të madhe të ndeshjes, duke krijuar volum loje.

Me triumfin e sotëm, Partizani ngjitet në kuotën e 47 pikëve, 2 më pak se Laçi i vendit të tretë. Sfidën e radhës të kuqtë do ta luajnë në transfertë ndaj Bylisit, ndërkohë që Laçi do të presë Flamurtarin në shtëpi.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë