Ashtu si çdo vit, të paktën për dekadën e fundit, muaji janar vjen me sfida të mëdha për Flamurtarin. Skuadra vlonjate është në një gjendje të rëndë këtë periudhë pushimi të kampionatit, jo për atë që ka arritur në fushën e lojës, por për shkak të situatës financiare. Në Vlorë lojtarët dhe stafi drejtues kanë disa muaj që nuk janë paguar dhe një pjesë e tyre kanë filluar të ngrenë krye në momentin kur do duhet të fillojë grumbullimi për t’u përgatitur për fazën e dytë të sezonit. Ai që ka trazuar ujërat i pari të kuqezinjtë është i përhershmi, Danilo Alvesh. Braziliani nuk është paraqitur në stërvitje në datën 6, siç ishte parashikuar nga stafi drejtues i vlonjatëve.

Gjendjen e nderë te Flamurtari e ka konfirmuar edhe vetë administratori Sinan Idrizi. Në një konferencë për mediet në Vlorë, Idrizi ka pranuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet klubi që ai administron, por duke thënë se është e pranueshme për kampionatin shqiptar, ku të gjitha ekipet kanë vonesa me dhënien e pagave.
“Mund të kemi çdo lloj problemi, por jo për pagat. Kush ka pretendime të tilla t’i drejtohet me një letër klubit. Ka vonesa një apo dy muaj, por ka edhe pagesa 30% parapagim”.- ka thënë Idrizi.

Më tej numri një i klubit vlonjat është ndalur më specifikisht në rastin e sulmuesit brazilian Danilo Alvesh. Idrizi paralajmëroi ndëshkime për sulmuesin, duke thënë se çështja e tij mund të shkojë deri në FIFA.
“Për Alvesh për çdo ditë vonesë do të marrë gjobat e përcaktuara. Te Flamurtari nuk ka asnjë lojtar që i është drejtuar klubit për pagat. Jemi të detyruar t’i dërgojmë letër FIFA-s për vonesën e lojtarit. Danilo Alves duhej të ishte në Vlorë. Nuk do të tolerojmë vonesa”, u shpreh administratori Idrizi, i cili ka pranuar se ka vonesa në pagat e futbollistëve, por nuk i pranon vonesat në grumbullim.
Sipas Idrizit situata e krijuar në Vlorë ka vetëm një emër, që lidhet me privatizimin e klubit. “Gjithçka lidhet edhe me privatizimin. Nëse klubi do të ishte privat, të jeni të sigurt se këto vonesa nuk do të ishin”.

Sinan Idrizi që prej 5 vitesh është në krye të klubit të Flamurtarit duke e marrë atë në administrim, por tashmë kërkon që ta ketë të tijin, duke e privatizuar. Pika që ndan Idrizin me Bashkinë e Vlorës është çështja e asteve. Administratori i Flamurtarit kërkon një privatizim të plotë bashkë me asetet, për të pasur mundësinë e investimit në to, sigurisht pa ia ndryshuar destinacionin sportiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




