Lojëra me Dore

Flamurtari, kampion në basketboll për femra për herë të 23-të në histori

Vlora mori një goditje të fortë nga ekipi i futbollit, që ka përfunduar në Kategorinë e Dytë, ndërsa ai që vazhdon ta nderojë është ekipi i basketbollit të femrave. Vajzat e Flamurtarit të koshit janë shpallur kampione të Shqipërisë për herë të 23-të në histori.

Flamurtari e mbylli fazën finale me rezultatin 3-0 ndaj Partizanit rival. Ndeshja e tretë, e zhvilluar në Vlorë, përfundoi me rezultatin 68-60. Në krahasim me dy ndeshjet e mëparshme, këtë herë pati më shumë rivalitet në parket, por gjithsesi vajzat vlonjate, të drejtuara nga trajneri Erion Hoxhaj, arritën të fitonin dhe në fund të ngrinin lart trofeun e kampionit.

Kapitenja Myrto merr trofeun e kampionit nga presidenti Ponari. Gazeta Si, 9 qershor 2021

Gjatë ceremonisë së titullit, ku mori pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, është vlerësuar edhe ish-trajneri legjendar i Flamurtarit në basketboll femra, Viron Toska, i ndarë nga jeta disa muaj më parë, pasi humbi betejën me Covid-19. Ekipi ishte ndërtuar pikërisht prej tij në tetor të 2020-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë