Klubi vlonjat ka probleme me pagesat. Futbollistët kanë disa muaj pa u paguar, kjo nuk është më e fshehtë, sepse është pranuar publikisht edhe nga drejtuesi kryesor i Flamurtarit, administratori Sinan Idrizi. Është thënë se do të ketë një zgjidhje, por futbollistëve po u sos durimi.
Kapiteni i skuadrës, Tomisllav Bushiç, është i pari që ka reaguar dhe ka ngritur një padi në FIFA për çështjen e pagave që nuk ka marrë nga Flamurtari. Kroati luan me fanellën e Flamurtarit prej disa sezonesh dhe ka pritur që situata të zgjidhet, por më kot. Ditët e fundit nuk ka lëvizur asgjë dhe sulmuesi dhe kapiteni i vlonjatëve ka vendosur që të veprojë, që do të thotë se ndarja e tij me Flamurtarin mund të vijë shumë shpejt, edhe pse kundër dëshirës. Duke pasur parasysh situatën, me siguri që FIFA do t’i japë të drejtë sulmuesit kroat.
Gazeta “Si” mëson se Bushiç për momentin ka edhe probleme fizike, ndaj nuk ka qenë pjesë e ekipit për miqësoren me Lushnjën, por është e qartë se kapiteni e ka të pamundur të vazhdojë në kushtet aktuale. Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Teuta, që pretendon një sulmues me përvojë për gjysmën e dytë të sezonit dhe Bushiç shihet si lojtari ideal. Durrsakët janë në garë për titullin dhe trajnerit Bledi Shkëmbi do t’i bënte shumë punë kroati. Bushiç e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar, ku më parë ka veshur fanellat e Vllaznisë dhe Tiranës. Në Vlorë është ndjerë gjithmonë i respektuar dhe jo më kot është bërë kapiten, por pa pagesë është e pamundur të luash futboll.
Durrsakët e nisën këtë sezon me synimin për të shkuar në kupat e Europës, por oreksi është shtuar me kalimin e javëve. Teuta e ka mbyllur fazën e dytë në vend të tretë, me 4 pikë më pak se Partizani kryesues, që do të thotë se shanset për titullin kampion janë reale. Deri tani Teuta ka marrë Erlis Frashërin nga Kamza dhe pritet që të përforcojë edhe sulmin me Tomisllav Bushiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.